7 anëtarë dhe kryetari kërkojnë të braktisin Gjykatën e Posaçme, për të shkuar në Gjykatën e Lartë! Kush do t’i gjykojë dosjet e SPAK?

13 Gusht 2020, 17:48

Shtatë anëtarë dhe kryetari kërkojnë të braktisin gjykatat speciale për t’u bërë pjesë e Gjykatës së Lartë. Kryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Sandër Simoni si dhe dy anëtarët kësaj gjykate të sapokrijuar, Klodian Kurushi dhe Iliriana Olldashi kanë dorëzuar dosjet pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’u bërë pjesë e Gjykatës së Lartë. Kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e Gjykatës së Lartë edhe pesë anëtarë të Gjykatës së Posaçme Anti-korrupsion të Apelit, konkretisht Saida Dollani, Nertina Kosova, Sokol Binaj, Albana Boksi dhe Dhimitër Lara. KLGJ ka vendosur të përjashtojë nga gara Saida Dollanin, por kjo e fundit ka kërkuar rrëzimin e vendimit të KLGJ në Gjykatën Administrative të Apelit.

Kjo lëvizje pritet të sjellë vakancat në Gjykatat e Posaçme, të cilat shqyrtojë dhe gjykojnë dosjet e referuara nga SPAK. Një nga arsyet se pse Këshilli i Lartë Gjyqësor hezitonte të shpallte të gjitha vendet vakante në Gjykatën e Lartë ishte lëvizja e gjyqtarëve për të aplikuar dhe për t’u bërë pjesë e Gjykatës së Lartë, duke krijuar vakancat në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm, administrative dhe të posaçme. Megjithatë, Kuvendi i kërkoi KLGJ të shpallte sa më parë vakancat në Gjykatën e Lartë.