7 mijë protestues kundër qeverisë përleshen me policinë në Bejrut: Ikni jeni të gjithë vrasës

8 Gusht 2020, 19:00

Bejruti nuk gjen dot paqe, edhe pse ende në zi për viktimat e shpërthimit të së martës. 7000 qytetarë libanezë  u mblodhën në sheshin e dëshmorëve për të protestuar kundër mënyrës se si qeveria ka reaguar ndaj shpërthimit shkatërrues. Protestuesit brohorisnin  "poshtë regjimi" dhe mbanin postera në duar në të cilin shkruhej  "Ikni, ju jeni të gjithë vrasës". Ata hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së parlamentit dhe policia u detyrua të hidhte gaz lotsjellës për ti shpërndarë ata. 

 Shpërthimi i së martës, më i madhi në historinë e Bejrutit, vrau 158 njerëz dhe la të plagosur mbi 5000 persona. Ndërkohë që 21 persona ende rezultojnë të zhdukur. Qeveria ka premtuar se përgjegjësit do të dënohen, por shumë pak libanezë janë të bindur se një gjë e tillë mund të ndodhë.  Ndërkohë që në anën tjetër shumë banorë të cilët po mundohen të pastrojnë shtëpitë e tyre, shprehen se e kanë të pamundur të përballojnë të vetëm rindërtimin e tyre , por theksojnë se nuk kanë aspak shpresë tek qeveria e tyre. Bilal Hassan është njëri prej tyre, i cili thekson se nuk ndihet vetëm i pastrehë, ndihet i pa shtet.