Si të gjitha ekonomitë e botës edhe ajo e Shqipërisë është lëkundur nga pandemia COVID-19. Karantina e muajve mars-maj shkaktoi një rënie ekonomike 10.2%.
Që nga muaji i parë i karantinës institucionet ndërkombëtare dhe ato vendase kanë dalë në shifra të ndryshme muaj pas muaj sa i takon recesionin që po përfshin vendin. Deri më tani parashikimi më i zymtë është i BERZH, i cili pret që ekonomia e Shqipërisë të tkurret me 9% këtë vit, dhe të rikuperohet me 4.5% në vitin që vjen.
Pas BERZH, renditet Banka Botërore që parashikon recesion 8.4%, të ndikuar nga ulja e konsumit, eksporteve dhe e turizmit. Për vitin e ardhshëm Banka Botërore pret një rritje ekonomike në vetëm 5%, por edhe kjo vetëm nëse pandemia do të mbyllet brenda këtij viti. Është parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar që vjen më pas për reduktim të ekonomisë me 7.5%, nga 5% që priste në fillim të pandemisë, ndërsa për 2021 pret rritje të saj me 6.1%.
Ndërkohë vlerësimi më i fundit është nga Instituti i Vjenës që thotë se ekonomia e Shqipërisë bjerë me 6.4% nga 5% që priste në maji 2020, dhe pret një rimëkëmbe ekonomike në vitin e ardhshëm me 4.6%. Ndërsa institucionet në vend janë më optimiste. Edhe pse INSTAT raportoi për rënie të lartë në tremujorin e dytë, sipas Ministrisë së Financave viti do të mbyllet me recesion 6.1%, ndërsa Banka e Shqipërisë thotë 5.5 deri në 6%.
Nga ana tjetër opozita flet me tone më të ashpra, teksa thotë se mosmarrja e masave në kohë do të sjell një shkatërrim të ekonomisë. Tre pikat ku bashkohen të gjitha parashikimet përveç opozitës janë rindërtimi, rimëkëmbja dhe turizmi.
