72 deputetë, kryebashkiakë e drejtorë në SPAK për fshehje pasurie dhe pastrim parash, 30 zyrtarë u gjobitën pasi refuzuan të deklaronin pasurinë

1 Maj 2021, 17:08 | Përditesimi: 1 Maj 2021, 17:08

#reportTV #lajmeshqip #lajme

Gjatë vitit 2020, 72 zyrtarë të niveleve të ndryshme, përfshirë deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë, janë kallëzuar në SPAK dhe në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, për fshehje pasurie, mashtrim me deklaratat e pasurisë dhe për pastrim parash. Dosjet janë referuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, pas kontrollit të ligjshmërisë së pasurive të një pjesë të zyrtarëve të lartë. Rastet në fjalë të fshehjes së pasurisë janë referuar edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave si dhe Policisë së Shteti. Të dhënat reflektohen në raportin e veprimtarisë së ILDKPKI për vitin 2010. Krahas kallëzimeve në Prokurori, gjatë vitit 2020, institucioni i kontrollit të pasurive ka gjobitur edhe 30 zyrtarë, të cilët kanë refuzuar që të deklarojnë pasurinë. Që nga viti 2014 deri në fund të vitit 2020, janë gjobitur 1 759 zyrtarë për refuzim për deklarimin e pasurisë dhe konflikt interesi. Po thuajse të gjitha gjobat janë konfirmuar edhe nga gjykata. Ndërkaq, gjatë gjashtë viteve të fundit, janë kallëzuar në prokurori mbi 500 zyrtarë për fshehje pasurie, mashtrim dhe pastrim parash. Në këtë listë të gjatë, përfshihen ish-ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kryetar bashkish, ambasadorë, doganierë, drejtorë të rëndësishëm etj.