72 viktima/ Sot 3 humbje jete, rritje rekord, 90 raste me COVID, shtrohet foshnja e parë!

3 Korrik 2020, 14:59

TIRANE-Shqipëria vijon që të ketë shifra alarmante të fataliteteve dhe të prekurve me COVID. Në 24 orët e fundit janë shënuar 3 viktima te Infektivi. Një 57 vjeçar nga Shkodra, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 76 vjeçar nga Durrësi, me disa sëmundje bashkëshoqëruese humbën jetën në spitalin infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor duke e çuar në 72 në total numrin e viktimave. Në 7 ditët e fundit janë shënuar 21 viktima. Numri i të infektuarve vijon që të ketë një trend në rritje, teksa sot ka shënuar shifrën rekord, 90 raste brenda 24 orëve nga 362 testime. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 35 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 10 në Kurbin, 8 në Vlorë, 6 në Shkodër, 4 në Përmet, 3 në Pogradec, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kavajë, Lushnje, nga 1 rast në Kolonjë, Vau i Dejës, Kamëz, Durrës. Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet me raste të shtuara ku aktualisht po trajtohen 80 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar. Ndërsa po merr trajtim spitalor edhe një fëmijë dy muajsh, rasi i parë i hospitalizuar, i prekur nga Covid19 nën kujdes nga stafi i pediatrisë infektive, në gjendje të stabilizuar bashkë me nënën. Fëmija është infektuar nga nëna. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1592 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1088 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë bën apel që të përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyni në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën, gjithashtu të zbatohen me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.