74-Vjetori i Çlirimit, krerët e shtetit homazhe te Varrezat e Dëshmorëve

29 Nëntor 2018, 19:51

Sot festohet 74-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë. Në kujtim të 29-Nëntorit gjatë ditës së sotme do të zhvillohen një sërë aktivitetesh në Tiranë dhe në rrethe. Presidenti Meta, kryeministri Rama, kryetari i Kuvendit Ruçi dhe Veliaj kanë bënë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në 10:00, ndërsa Monika Kryemadhi e LSI-së vendosi kurora me lule në 10:30 duke ruajtur kështu spektrin e majtë të forcës që drejton, pavarësisht koalicionit opozitar me PD-në. Pjesë e homazheve ishin edhe komunistët, nostalgjikët e Enverit bënë thirrje kundër kryeministrit Rama pas kthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit.

Kur kanë kaluar plot 74-vite nga 29 Nëntori 1944, që është dita e çlirimit, ende politika shqiptare vazhdon të jetë e ndarë. Të djathtët njohin si datë çlirimi 28 Nëntorin, dhe këtë ditë e festojnë bashkë me shpalljen e Pavarësisë, ndërsa të majtët 29 Nëntorin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane. Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, por debati mbi largimin e gjermanit të fundit vijon në Shqipëri edhe pas 74 vitesh.