8 dhjetori/ Papunësia dhe kushtet e vështira të jetës, të rinjtë shqiptare duan të largohen

8 Dhjetor 2020, 21:51

Ky 8 dhjetor e gjen Shqipërinë me shumë  të rinj që duan të largohen për tu punësuar dhe pasur më tepër hapsira në jetën e tyre. Në mikrofonin e Report Tv disa prej tyre tregojnë arsyet pse duan të ikin nëpër Evropë apo edhe më tej

Për shumë të rinj të sotëm, Dita e Rinisë e cila u vendos 30 vjet më parë kur Rinia e asaj kohe solli ndryshime të mëdha në Shqipëri, kalon pa ndonjë domethënie.

Nuk janë të paktë ata të 20- 25 vjeçarë që duan të largohen për mundësi të reja dhe për më mirë.

Shumë të diplomuar e gjejnë veten duke kërkuar punë nëpër lokale apo në call center, ndaj mosushtrimi i profesionit shton çdo ditë radhët e atyre që duan të lanë vendin

“Punë punë, ça studimesh. Unë punoj kamarier restoranti. Veç kamarier dhe banakier mund të punosh këtu në Shqipëri se ndryshe nuk ka. Nuk kam mbaruar studime se ka dashur lekë dhe normalisht do punosh që të kesh të ardhura në shtëpi. Për ndryshe me ça do ndjekësh shkollën. Ku të shkosh. Tani e mira është të largohesh jashtë, por normalisht në qoftë se është mundësia iki direkt, pse jo. Ça do bësh këtu? Do vij një moshë që s’ke ça të bësh. As pensionin s’po e marrim. Gjyshërit apo gjyshet s’marrin as pension asgjë. Me ça do rrish me 100 mijë lekë apo 50 mijë lekë. Kështu që ik jashtë më mirë bë lekë dhe jeto pastaj”, tha i riu.

“Për momentin kjo degë është e kërkuar në tregun e punës sot, por unë synoj të iki jashtë kështu që nuk jam shumë i interesuar për në Shqipëri”, tha një tjetër student.

“Studioj për financë. Por nuk jam në punë në profesionin tim dhe punoj në Call Center duke qenë se është dhe puna e parë që bëj”, tha një tjetër studente

Presidentja e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, Ervjola Osmanaj tha për Report Tv se nivelet e larta të papunësisë janë pasojë për mungesën e sigurisë së tyre në Shqipëri.