8 ditë grevë urie/ Punëtorët e stacionit të Pompimit në Poçem: Të ndërhyjnë ambasadorët!

20 Shkurt 2020, 14:37

FIER- Punëtorët e stacionit të Pompimit të Poçemit kanë vijuar grevën e urisë në ditën e tetë të saj, duke kërkuar pagat e prapambetura të 27 muajve. Ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore ata thonë se nuk do të tërhiqen deri sa të plotësohet kërkesa e tyre, ndërsa ditën e sotme kanë refuzuar edhe ndihmën mjekësore.

Punëtorët sot po vuajnë pasojat e privatizimi të uzinës së naftës dhe ndryshimit të shumë pronarëve brenda një kohë të shkurtër. Një prej grevistëve në stacionin e Pompimit në Poçem i ka bërë thirrje ambasadave të huaja në vendin tonë që të ndërhyjnë, ndërsa deklaron se nuk do të lëvizë nga aty nëse nuk merr 27 pagat e prapambetura.

"Dita e tetë sa po vjen e po përkeqësohet. Disa nga shokët tanë kanë marrë serume. Nga qeveria nuk na ka ardhur asnjë lloj përgjigje. Presim të na kthejë përgjigje sepse të gjithë jemi njerëz. I bëjmë thirrje të gjithë ambasadave të huaja të ndërhyjnë këtu sepse është një turp i madh. Ne po nuk morën rrogat nuk lëvizim që këtej. Këtu do vdesim të gjithë', shprehet grevisti.

"Ça tha avokati i popullit. Na pyeti na bëri dhe iku u largua. Ne po vazhdojmë. Do e çojmë deri në pikën e fundit. Nuk shikojmë asgjë konkrete. Ne këtu jemi. Po vdesim, këtu do vazhdojmë deri në pikën e fundit", tha një tjetër grevist.