81 artistë ekspozojnë në “Pranvera art”, skulptori: Vepra ime, si protestë kundër korrupsionit në këto 30 vite

17 Prill 2019, 15:30

81 artistë të njohur, por edhe të rinj nga e gjithë Shqipëria janë bërë bashkë për të ekspozuar veprat e tyre në “Pranvera Art” në Muzeun Historik Kombëtar. Artistët sjellin në edicionin e dhjetë punime në pikturë, skulpturë edhe në grafika. Veprat e realizuara gjatë vitit 2019-të ekspozohen nën organizimin dhe kurimin e piktorit Llazar Tacci edhe skulptorit Maksim Bushi. Për Bushin kjo ekspozitë është e rëndësishme, jo vetëm se flet për nivelin dhe cilësinë e artit në vendin tonë, por edhe sepse është e vetmja mundësi, ku artistët shkëmbejnë eksperiencat e tyre së bashku.

“Ky është edicioni i dhjetë i ekspozitës dhe ka vijuar me sukses ndër vite, sepse kanë marrë pjesë artistë shumë të njohur, që kanë kontribut të rëndësishëm kombëtar, deri tek më të rinjtë. Ka qenë dikur një ekspozitë (1972), që ne e ringjallëm duke bërë “Pranvera art” në kushtet e pluralizmit. E veçanta është që është masive, sepse ka jo vetëm piktorë, por edhe skulptor. Është një përpjekje e një grupi artistësh që duan të ekspozojnë çdo vit duke kontribuar edhe në mënyrë personale, sepse rrallëherë jemi mbështetur nga shteti”, thotë skulptori Maksim Bushi.

Vepra që sjell artisti Maksim Bushi është “Vet-vetting”. Kjo skulpturë për të është forma më e mirë, për të protestuar për gjithçka ndodh në vendin tonë prej 30 vitesh, ku mbi çdo gjë mbizotëron korrupsioni në politikë.

 “Kjo është një lloj skulpture që lind nga protestat, të gjithë kemi shumë rezerva që bëhen për politikën që bëhet, e sidomos për korrupsionin. Të gjitha këto gjëra që ne i hasim përditë, edhe që na bëjnë ta zbërthejmë në mënyrën tonë artistike. Këtu duke u nisur jo nga koncepti politik, por edhe nga koncepti shoqëror qw e kam zbërthyer nëpërmjet një thesi të florinjt, që xhepat i ka të zbërthyer. Mund të quhej edhe “varfëri e florinjtë”, që edhe pse vjen në mënyrë ironike, kthehet në tragjedi-komike. Aty kuptohet, që xhepat janë bosh, ndërsa gjithçka tjetër është e florinjtë. Një protestë kundër korrupsionit, një protestë e përhershme për faktin se si politika shqiptare e ka udhëhequr vendin në këto 30 vite. Duhet që të kishim shkuar shumë më parë. Gjithë kjo atmosferë jo e mirë, përpjekjet për të hyrë në Europë influencojnë edhe në fushën e artit. Aq më tepër arti duke qenë edhe shpirtëror ndonjëherë ka ndjesi të veçanta, sot ka shumë artistët e bëjnë ekspozita, me përpjekje individuale ose me miqtë. Megjithatë, ne i bëjmë përpjekjet, por kjo është individuale dhe duhet të ishte më e madhe edhe nga shteti”, shton Bushi.

Mes artistëve ekspozojnë jo vetëm emra të njohur të artit pamor si Ali Oseku, Anastas Kostandini, Ali Oseku, Idris Balani, por edhe artistë të rinj, si Devis Kuqo apo Roland Runaj edhe shumë të tjerë.  

 “Vetëm kjo sallë ka mbetur që është e madhe edhe ajo e FAB. Shpresojmë që të jetë, flasin për rikonstruksion, sepse po të iki edhe kjo sallë ne mbetemi pa një ambient të mirë ekspozimi. Galeria Kombëtare ka mbetur një ambient i mbyllur, duhet që të jetë edhe më shumë për artistët”, Maksim Bushi.

Zanafilla e ekspozitës “Pranvera Art” është që në vitin 1972, por regjimi komunist e ndërpreu. Ekspozita do të vazhdojë që të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar deri në datë 24 prill.