8-vjeçarja e paralizuar nuk mundet të shkojë në shkollë/ Nëna: Jemi 12 frymë në familje, shteti të na ndihmojë

16 Shtator 2019, 15:53

FIER- "Unë jam Lefteri Kola, jam e paralizuar, dua të më ndihmojë shteti, të iki edhe unë në shkollë si shokët e mi. Isha klasë e parë , hidhem e dyta. Dua të mësoj shumë, por nuk mund të iki dot", thotë 8-vjeçarja Lefteri Kola.

Të gjithë vrapuan për në shkollë mëngjesin e kësaj të hëne, por Lefteri Kola, 8 vjecarja nga Fieri qëndroi në krahët e nënës pa mundur të nisë klasën e dytë. Ajo nuk mund të ecë për shkak të paralizës që ka pësuar prej 6 muajsh. 8 vjecarja kërkon ndihmë që të kurohet e të shkojë në shkollë.

Nëna e saj, thotë se ata janë një familje e madhe me 12 persona dhe sëmundja e rrallë që ka prekur vajzën ua ka vështirësuar jetesën. Një formë e reumatizmës është sëmundja e diagnostikuar, por sipas nënës ajo është vdekjeprurëse. Apeli i kësaj nëne shkon për këdo që mund të ndihmojë që 8 vjecarja të kurohet jashtë.

"Është e sëmurë po bën 6 muaj, dhe nuk ka dhe nuk kemi asnjë lloj shprese për shërim. E kanë nxjerrë me një lloj reumatizme që mund të jetë edhe vdekjeprurëse. Dhe në shkollë për arsye se nuk kemi mundësi ekonomike. Ne jemi një familje e madhe, 12 frymë, dhe jemi në kushte shumë të vështira ekonomike. Asgjë nuk kemi, unë jam shtëpiake dhe burrin e kam pa punë. Është shumë e vështirë se do shumë para. Ne po vemi këtu në Shqipëri, pale jashtë shtetitë që do shumë para që të vesh", thotë nëna.

Gjyshi, Kozma Kola, ka ndjekur hap pas hapi mbesën dhe mjekimin e saj. Ai thotë se deri më tani nuk ka asnjë përmirësim nga ilacet.

"Kura që po bën, ajo s’ka asnjë lloj përmirësimi. Kërkojmë nga mjekësia të më nxjerrin dokumentat edhe me ndihmën time. Të më nxjerrin dokumentat ta coj jashtë shteti", shprehet gjyshi Kozma Kola.

Familjarët e kanë humbur shpresën për shërimin e 8 vjecares. E vetmja mundësi që ajo të kurohet sipas nënës dhe gjyshit është mjekimi jashtë vendit.