9 shqiptarë ekstradohen në Itali! Nga furnizimi i Europës me kokainë të pastër te heroina me anije..

12 Gusht 2020, 21:39

TIRANË- 9 shqiptarë të moshave 27 deri në 72 vjeç të arrestuar në periudha të ndryshme kohore nga policia e shtetit në Shqipëri, janë ekstraduar këtë të mërkurë drejt Italisë për të vuajtur dënimet me burg.

Report Tv mëson ekskluzivisht emrat e 9 shqiptarëve kryesisht të dënuar për trafik të lëndëve narkotike, plagosje e grabitje. Të ekstraduarit janë Luan Bodlli 42 vjeç, Florenc Mema, Demokrat Çizmja, 28 vjeç, Athanas Xhuveli, 27 vjeç, Luan Delaj, 50 vjeç, Xhimi Isiu, 36 vjeç, Renuar Nikolli, 30 vjeç dhe Maliq Hyqa, 72 vjeç.

Por kush janë këta dhe për çfarë akuzohen? Report Tv ka bërë një përmbledhje të historive të shqiptarëve që sot u nisën drejt vendit fqinj. Florenc Mema, 30 vjeç, Demokrat Çizmja, 27 vjeç dhe Luan Bodlli 41 vjeç janë 3 nga shqiptarët e ekstraduar sot drejt Italisë. Të tre këta persona janë të njohur në botën e trafikut të kokainës dhe pjesë e grupit kriminal që furnizonin me kokainë pothuajse të gjithë Italinë e Veriut dhe disa vende të BE-së. Ata trafikonin kokainën nga Amerika e Jugut drejt Holandës e më pas duke përdorur automjete me targa franceze e gjermane, kokaina transportohej në Itali e kryesisht në territorin e provincës së Bergamos. Grupi i tyre kriminal u godit në Shijak përmes një operacionit të koduar Romano në bashkëpunim me policinë italiane.. Rezulton se kokaina që ata trafikonin në mbarë Europën shpërndahej me mbishkrimin e linjës së parfumeve Hugo BOSS.

Emiljano Mustafa 31 vjeç nga Erseka u arrestua më 31 tetor 2019 gjatë një aksioni nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë italiane. Ai akuzohet si pjesë e një grupi kriminal italo-shqiptar që kishte lidhje me organizatën mafioze Ndrangheta.

Ndërsa Xhimi Isiu 36 vjeç banues në Tiranë u arrestua më 30 dhjetor 2019 pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për drogë. Ai akuzohet se ishte pjesë e një grupi kriminal  ku policia italiane në nëntor të 2017 sekuestroi më shumë se dy ton lëndë narkotike hashash dhe marijuanë në Ravenna të Italisë.

Në listën e shqiptarëve të ekstraduar është Athanas Xhuveli 26 vjeç nga Vlora, i dënuar me 10 vite burg për grabitje nga Gjykata Aquilas në Itali, ndërsa ka pasur dyshime se edhe në Tiranë po përgatitej të kryente vjedhje me armë.