93-vjetori i lindjes së Trebeshinës, studiuesi: Duhet ta hipotekojmë veprën e tij, si një vlerë të rëndësishme të letërsisë shqipe

8 Gusht 2019, 15:43 | Përditesimi: 8 Gusht 2019, 15:43

Sot shkrimtari Kasëm Trebeshina do të mbushte 93 vjeç. Ndonëse i përjashtuar, si shkrimtar edhe nga letrat shqipe, sipas studiuesit Behar Gjoka, letërsia shqipe sot dhe nesër ka nevojë për Kasëm Trebeshinën (1926-2017). Në një intervistë për kamerën e “ReportTV” studiuesi i letërsisë shqipe Behar Gjoka teksa shpjegon në këtë 93-vjetor të lindjes, se përse lexuesit duhet që të lexojë edhe jo të keqkuptojë veprën e tij pa e lexuar, mendon se mospranimi i emrit të tij në arealin e letrave shqipe, vazhdon vetëm për arsye jashtëletrare.

 “Nuk është çështje detyrimi, por është çështje nevoje që ka lexuesi shqiptar për letraren që endi në gjallje Trebeshinën. Është fjala këtu për mbi 80 tekste dramatikë; në prozë, tregim, novelë, romane. Është fjala këtu për tekste të tjera që kanë të bëjnë me estetikën edhe mënyrën sesi ai e vështronte letërsinë, sepse në fakt në pamundësi për të bërë jetë normale, Trebeshina jetoi me letërsinë dhe për letërsinë. Në këtë dimension, edhe duke u nisur nga fakti që vetëm një pjesë e veprave të tij është botuar, një pjesë janë ende në dorëshkrim edhe një pjesë jo vetëm që nuk është e lexuar e gjitha, por më së shumti është keqkuptuar. Në gjallje nuk u kuptua. Bën pjesë tek ata autorë, që pasi ka ndërruar jetë ne kemi shansin të merremi me tekstin, edhe të kuptohemi apo të keqkuptohemi nuk duhet është parësore”.

b.ha./Shqiptarja.com