Ndryshimet e reja në qeveri, ku Olta Xhaçka u dekretua nga Presidenti Ilir Meta si ministre të Jashtme dhe Niko Peleshi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, sjellin mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila ka nisur në orën 17:00.
Olta Xhaçka është votuar me 94 vota pro për emërimin e saj si ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme. Po me 94 vota është emëruar Niko Peleshi si ministër i Mbrojtjes.
Mbledhja është kërkuar nga kryeministri Edi Rama, i cili i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi duke i kërkuar që të mbledhë ligjvënësit në një seancë të jashtëzakonshme, me qëllim shqyrtimin e dekreteve të shkarkimit dhe të emërimit të ministrave, brenda afatit të përcaktuar në pikën 2 të nenit 98 të Kushtetutës.
Kuvendi i Shqipërisë e nis sesionin e ri parlamentar më 18 janar, por emërimi i ministrave të rinj ka bërë që ajo të mblidhe 2 javë më parë në një seancë të jashtëzakonshme.
Presidenti Ilir Meta dekretoi mëngjesin e 31 dhjetorit Olta Xhaçkën dhe Niko Peleshin. Emërimi i Olta Xhaçkës në krye të Ministrisë së Jashtme u bë pas dorëheqjes së Gent Cakaj, ndërsa është vlerësuar edhe nga ambasadorja Yuri Kim duke e konsideruar si një aleate të shkëlqyer.
Në vend të Xhaçkës është emëruar Niko Peleshi, i cili është rikthyer sërish në qeveri në postin e Ministrit të Mbrojtjes.
Pas votimit në Parlament të dy emrave të rinj, ka ardhur edhe reagimi i ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca. Ai ka uruar dy ministrat ku i fton për vijimin e bashkëpunimit në rrugën drejt BE-së.
"Urime Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi për emërimin e tyre si ministre e Jashtme dhe ministër i Mbrojtjes. Presim të vazhdojmë punën së bashkë për të ndihmuar Shqipërinë të ecë më shpejt në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Faleminderit për një bashkëpunim të madh", shkruan Soreca.
