9500 gjoba për mosmbajtjen e maskës në gjysmën e dytë të tetorit/ Të rinjtë më të pabindur

2 Nëntor 2020, 13:50 | Përditesimi i fundit: 2020-11-02 15:58:42

TIRANË- Grupmosha 23 deri në 30 vjeç janë personat më të pabindur dhe më të pagdhendur në lidhje me mbajtjen e maskave për parandalimin e virusit COVID-19. Që prej hyrjes në fuqi të mbajtjes së maskës në ambjentet e jashtme në datën 15 tetor, një numër i konsiderueshëm gjobash prej 3 mijë lekësh janë vënë nga efektivët e policisë në të gjithë vendin.

Moshat 20 deri në 40 vjeç, bëjnë me dije burimet zyrtare nga Policia e Shtetit, janë gjobitur më shumë, duke sjell në këtë mënyrë trendin e mosbindjes për mbajtjen e maskave kryesisht në moshat e reja. Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se grupmosha që ka respektuar më shumë mbajtjen e maskës në ambjentet e jashtme janë ato më të vjetëra, duke filluar nga 40 deri në 60 vjeç. Kryesisht, kjo grupmoshë, e cila është edhe më e rriskuara nga virusi COVID-19 duket se respekton mbajtjen e maskës edhe për shkak të rrezikut të drejtëpërdrejtë që sjell për ta.

Të rinjtë janë më të pabindurit pasi pjesa më e madhe e atyre që kalojnë koronavirusin janë asimptomatik, por në të njëjtën kohë edhe target-mosha që transmeton më shumë virusin. Referuar të dhënave të policisë, në total që prej datës 15 tetor janë gjobitur rreth 9500 persona, të cilat nga ana monetare përkthehen në 28.5 milionë lekë të reja, që do të mblidhen përmes faturave të energjisë elektrike. Në ditët e fundit, pjesë e vendimeve për të penguar transmetimin e COVID-19 janë edhe mbyllja e lokaleve të zonës së ish-Bllokut në Tiranë, për shkak të përqëndrimit të madh të njerëzve në këto ambjente, duke filluar nga ora 22:00.

Në vetëm dy ditë, 7 subjekte janë gjobitur nga policia me vlerën orej 10 milionë lekë të vjetëra./Përgatiti Sokol Dema