A do ketë ndarje me peçikllaz si Italia?! Ministri Klosi flet për mënyrën e re të të bërit plazh

15 Prill 2020, 12:48

A po studion Shqipëria masa specifike për distancat mes çadrave në plazhe? Ministri Blendi Klosi tha gjatë intervistës për Report Tv, se po punohet me ekspertët për planin konkret ku do të ketë distancë mes çadrave, por nuk tha detaje pasi gjithçka pritet të vendoset deri në momentin kur mund të mendohet hapja e aktivitetit turistik.

"Ne kemi përgatitur një material të plotë së bashku me ministrinë e shëndetësinë që edhe ai është në diskutim nga grupet e ekspertëve. Italia i ka nxjerrë materialet e para, se e ka më specifike sipas rajoneve, dhe ka nxjerrë masat e reja për plazhet, me distanca nëpërmjet çadrave, ka propozime në turizëm elitar ku të ketë ndarje me peçikllaz ndërmjet çadrave. Ne e kemi bërë një material, do të jetë pjesë e diskutimet deri në momentin që do të mendojmë se do të fillojë hapja, një ide se si mund të jetë sezoni i plazhit po përpunohet nga grupi i ekspertëve. Sa i përket hotelerive dhe lokaleve, do të jenë të fundit që do të hapen", u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.