A do të ketë surpriza?! Nesër publikohet raport-progresi për Shqipërinë...nën hijen e zgjedhjeve në BE

28 Maj 2019, 18:00

Progres-Raporti për vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin BE do të publikohet më 29 maj.

Në këtë datë do të jepen vlerësimet e Komisionit Europian (KE) për punën që Shqipëria ka bërë në realizimin e 5 prioriteteve kyçe. Raporti për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor do të prezantohet nga Komisioneri për zgjerimin, Johanes Hahn. Takimi, i cili do të mbahet vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të BE, është planifikuar për në orën 11:00.

Në raporte nuk pritet të ketë surpriza. Komisioni Evropian do të rekomandojë edhe kësaj radhe çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ndryshe nga herët e mëparshme, progres raporti për Shqipërinë dhe Maqedoninë, këtë radhë vjen nën hijen e Samitit të Jashtëzakonshëm të vendeve anëtare, të cilat duhet të vendosin për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit të BE-së.

Franca është një kundërshtare e zgjerimit, por qëndrimi i saj ka qenë i lidhur me zgjedhjet për Parlamentin e BE-së dhe ndikimin që një vendim i tillë mund ta ketë në këto zgjedhje.

Rezultatet e zgjedhjeve nuk përmbushën frikën e forcimit të së djathtës në nivel evropian, por pozita e Presidentit Makron është goditur, pasi partia e tij humbi kundrejt ekstremit të djathtë të udhëhequr nga Marine Le Pen në Francë. Mbetet të shihet se si ky rezultat do të ndikojë në qëndrimin francez.

Ndërkohë vetëm pak ditë më vonë, më 18 qershor Këshilli i Europës (KiE), me krerët e vendeve anëtarë, do të vendosë nëse do të japë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Është përfolur se vendimi për Shqipërinë do të shtyhet për në muajin shtator për shkak të zgjedhjeve evropiane, por ende nuk ka konfirmim zyrtar.