A do të mbyllen shkollat dhe kufijtë me Italinë?! Përgjigjet Manastirliu

24 Shkurt, 10:45

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se sipas shkallës së rrezikshmërisë do të merren masat përkatëse, por deri më tani, nisur nga fakti që sipas saj nuk ka asnjë rast të prekuri në vendin tonë, nuk do të shkohet drejt mbylljes së kufijve me Italinë fqinje.

E pyetur nga gazetarët, Manastirliu tha se nuk ka asnjë të infektuar me koronavirus në Shqipëri, dhe fokusi aktualisht është për të dyfishuar masat shëndetësore për të mbrojtur shëndetin e shqiptarëve.

"Masat që do të marrim do të jenë orientuar nga qëllimi madhor për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve", tha Manastirliu.

Megjithatë, ajo tha se çdo vendim do të merret sipas shkallës së riskut.

"OBSH rekomandon të vlerësohet mundësia hap pas hapi bazuar në shkallën e riskut, por mbyllja e kufijve realizohet kur paraqiten raste, kur kemi situatë të epidemisë me përhapje të gjerë, kur edhe në këto raste nuk vendosen masa agresive kombëtare, por izolohet lokalisht rasti gjurmohet kontakti dhe vendosen masa", tha ministrja.

"Do të përgjigjemi sipas situatës dhe shkallës së riskut. Vendimet do të merren hap pas hapi me qëllim mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë", theksoi ministrja e Shëndetësisë.

Po ashtu, të njëjtin qëndrim dhe përgjigje ministrja dha edhe përballë pyetjes nëse duhen mbyllur shkollat. Sipas saj, nuk është momenti.

Kategori të tjera