Abuzimet me ndërtimet/ Gurra: Me 50 mijë lekë të vjetra..Kjo është t'i vrasësh në mes të ditës! Jeta nuk është kaq e lirë

27 Dhjetor 2019, 22:49

Për Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra, pasojat shkatërruese të tërmetit të 26 nëntorit nuk ishin goditje prej zotit, por prej dorës së njeriut që ka abuzuar me korrupsion në ndërtime të dobëta që i zunë shqiptarët nën rrënoja.

"Kjo nuk është një goditje prej zotit. Kam njohur nga afër familjarët e familjes Lala. Nga binjakët 2 vjecarë, deri tek një nënë, nën rrënoja...Nuk ka asgjë nga zoti, e gjitha ka qenë dhe do të dalë nuk është e vonë, nga korrupsioni, specialistët e thjeshtë që kanë shkuar për të legalizuar, dhe deri tek instancat e larta që janë marrë me ndërtimet, me katrahurën urbanistike në Kënetës, Tiranë, e kudo tjetër...Mosbesimi ose padrejtësia që ne qëllimisht bëjmë, apo sulmojmë apo godasim ndaj njëri-tjetrit. Nuk është se Zoti po hakmerret.

Por ka një realitet tjetër: Më 28 nëntor isha në Shijak, atje ka qindra shtëpi në qytet e fshatra, të prishura, ato janë të ndërtuara në vitet '70, shtëpi një katëshe, ato janë shembur nga lëkundjet natyrore të tërmetit.

Familja Lala, Thumana, kanë pasur shirita që janë vendosur, me 50 mijë lekë të vjetër që kanë marrë inspektorët e thjeshtë që i kanë vënë. Kjo është t'i vrasësh në mes të ditës së diellit.

Jeta njerëzore nuk është kaq e lirë", tha Gurra në emisionin "Pa Protokoll" në Report Tv.