Policë dhe zyrtarë, dalin para gjykatës 18 abuzuesit me ndërtimet në Durrës, s'i nxë të gjithë kafazi i qelqtë

12 Janar 2020, 10:11 | Përditesimi i fundit: 2020-01-12 21:56:49

TIRANE-18 zyrtarët e policisë së qarkut të Durrësit dhe zyrtarët e pushtetit lokal që u arrestuan tre ditë më parë kanë dalë sot para gjykatës për njohjen me masën e sigurisë. Prokuror i çështjes është Afrim Shehu, ndërsa gjyqtar që do të vlerësojë masat Paulin Cera.

Të gjithë të arrestuarit janë të pranishëm në gjykatë, për policin Gani Dama masa do të jepet në mungesë, pasi është ende në kërkim, ndërsa Astrit Nure, specialist armatimi, që është pezulluar nga detyra dhe është lënë në detyrim paraqitje, përfaqësohet me avokatin.

Një detaj interesant nga seanca është fakti që kafazi i qelqtë ishte shumë i vogël për që qëndruar të gjithë dhe një pjesë e të arrestuarve po qëndrojnë jashtë tij. Report Tv sjell pamjet nga seanca që po zhvillohet në Durrës.

Të arrestuarit kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin e parave, ndërsa në këmbim jepnin lejet për ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj. Me anë të kësaj skeme abuzive ata shmangnin zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre.

Por përveçse kanë favorizuar biznesmenët të ndërtojnë pa leje, kanë falsifikuar dokumentet, nuk kanë raportuar ngjarjet kriminale, dhe më tej akoma, kanë fshehur kallëzimet e bërë nga qytetarë të ndryshëm për abuzimet që po ndodhnin në këto zona me ndërtimet pa leje (lexo këtu të plotë).