Adela dhe Anxhelo Muçollari poezia e trupit në majë të gishtërinjve

17 Mars 2019, 12:15

Poezia e trupit, ku çdo fjalë është një lëvizje erdhi në formën më të lartë të shprehisë, “në majë të gishtërinjve” mbrëmjen e djeshme në skenën e ArTurbinës. Si për të rrëfyer thelbin e të qenit artist qe historia e  “Don Kishotit”  që solli fillimisht në skenë Adela dhe Anxhelo Muçollarin. Motër e vëlla me interpretimin e tyre treguan forcën e ndjeshmërisë, e përmes gjuhës së trupit rrëfyen se si mund të mbijetojë e gëzohet një histori pavarësisht vështirësive.

 “Shumë e kënaqur me gjithë publikun dhe duartrokitjet e tyre. Ishte një ngarkesë shumë e madhe teknike, por me shumë dashuri dhe me shumë punë ja arritëm edhe unë, edhe Anxhelo. Sot është dita që kisha ëndërruar prej vitesh. Dy netët e tjera do të jenë akoma edhe më te veçanta, por emocionet e natës së parë nuk harrohen” tha Adela Muçollari, primabalerinë.

 “Shumë i lumtur se doli me sukses, por prapë na presin edhe dy net të tjera. Ishte nata më e fortë, se duke e krahasuar me balete të tjera ky ishte edhe më emocional, se kisha shumë peshë” theksoi Anxhelo Muçollari.

Një recital i kompletuar që solli artin e baletit në 9 pjesë të repertorit botëror duke përfshirë baletin klasik, neoklasik dhe atë kontemporan. Dhe sigurisht që entuziazmin e një mbrëmje të paharrueshme, si kjo e shtoi edhe më, muzika live që erdhi përmes pianistes Elvina Gurra dhe performancës spektakolare të violonçelistit Iliard Shaba, i cili shoqëroi edhe lëvizjet moderne të përgatitura nga koreografi Tan Brama.

“Kjo ka qenë një shfaqje shumë e mrekullueshme. Isha si spektator, ndoqa gjithë recitalin, duke qenë se isha i fundit në radhë, dhe kur hyra isha me emocionet që mora nga salla, kam mbetur pa fjalë” u shpreh Iljard Shaba, violinçelist.