Adela Muçollari, Primabalerina e TKOB në jurinë e Premio Roma Danza 2019

16 Maj 2019, 16:37

Primabalerina e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit Adela Muçollari do të përfaqësojë Shqipërinë në jurinë e çmimit prestigjoz "Premio Roma Danza 2019" që do të mbahet në Romë. Balerina jonë e talentuar do të jetë në krah të anëtarëve të tjerë të jurisë, të cilët janë emra të shquar të akademisë së baletit ndërkombëtar.

Nuk është hera e parë që yje të skenës sonë të operas dhe baletit na përfaqësojnë denjësisht në evente të një cilësie të lartë artistike duke e vendosur  Shqipërinë tonë të vogël në piedestal të organizimeve në Europë dhe në botë.

Adela Muçollari është një nga primabalerinat më të talentuara që aktualisht interpretojnë në skenën e TKOB. Pavarësisht kërkesave të shumta që ajo ka pasur për t'u larguar nga Shqipëria, bashkë me vëllain e saj, Anxhelo Muçollari, kanë preferuar të qëndrojnë e të jenë vlerë në Tiranë.