Adrenalinë dhe spektakël, motorët 'pushtojnë' Beratin

27 Maj 2019, 10:15

Ata i bashkon dashuria për motorët dhe adrenalina për shpejtësinë. Ndonëse, jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme herë pas here bëhen bashkë për të ushtruar pasionin e tyre, garat me motorë. Ditën e diel anëtarët e "Eudor Albania" kanë dhuruar një spektakël të vërtetë motorësh në qytetin muze. Ata kanë parakaluar në rrugët e qytetit me motorët e tyre, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve, ndërkohë që mbrëmja ja ka lënë radhën një koncerti.

Eventi për të dytin vit radhazi, u mundësua nga Bashkia e Beratit në bashkëpunim me “Enduro Albania”  ku admiruesit e motorëve ndoqën profesionistët e këtij sporti në një garë demonstrative. Merrnin pjesë në këtë aktivitet rreth 150 motoristë nga Shqipëria dhe trevat shqipfolëse. Po ashtu pjesë e këtij MotoShow u bënë edhe dy motoristët e njohur  grekë, Pipo dhe Kandilas, përfaqësues të grupit “Greek stunt riders”.

Pas ekzekutimit të ushtrimeve të ndryshme në sheshin qendror të qytetit, ku nuk mungoi adrenalina dhe spektakli, motoristët e “Enduro Albania” parakaluan në rrugët kryesore të qytetit, duke tërhequr vëmendjen e shikuesve të shumtë. Veç, natyrës sportive organizimi i këtij eventi ka si qëllim promovimin e vlerave kulturore, sportive dhe turistike të qytetit.