Aeroporti i Kukësit 'low cost' përfundon pas 2 vjetësh, 10 mln euro dhe 12 mijë punësime

6 Prill 2019, 14:25

Punimet për ndërtimin e aeroportit  të Kukësit, këtij projekti strategjik për shkak dhe të vendndodhjes së tij midis Tiranës dhe Prishtinës, si dhe me potencial të jashtëzakonshëm për të gjithë ekonominë kombëtare, kanë nisur tashmë. Ky aeroport do të mundësojnë fluturime me kosto të ulët të biletave të udhëtarëve. Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në inaugurimin e punimeve për aeroportin e ri që do  të sjellë një erë të re zhvillimi për të gjithë zonën e Kukësit, pasi, veç të tjerash, ky projekt shihet edhe si një gjenerator i mijëra vendeve të reja të punës që do të hapen vit pas viti si rezultat i zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë lokale.

“Është vendosur që të gjitha ndërtesat ekzistuese do të shemben për të ndërtuar një terminal të ri modern dhe me efikasitet të plotë. Shtimi i pistës do jetë kryesorja, pasi duhet të shtohet me disa qindra metra, gjë që do kërkojë kohën e vet, padyshim. Megjithatë ne jemi brenda afateve, pa i kaluar asnjë ditë,” u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Punimet do të realizohen brenda vitit,” u shpreh drejtuesi i kompanisë.

Kryeministri Rama nga ana e tij tha se menjëherë pas përfundimit të këtij projekti do të krijohet dhe certifikohet operatori i specializuar i aeroportit, me ndihmën e partnerëve europiane, ku stafi i aeroportit do të trajnohet për manaxhimin e tij.

“Ka shumë procedura certifikimi, akreditimi. I pamë me “Air Albania” që kërkonin kohë me kontrolle, verifikime me grupe të ndryshme të organizmave ndërkombëtare, por ajo që është e rëndësishme është që puna civile të mbarojë më shpejt,” theksoi kryeministri.

Aeroporti i Kukësit ka një territor prej 512 mijë metra katrorë, me një gjatësi piste prej 1900 metrash dhe gjerësi 45 metra. Kategoria e tij është 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë. Kapaciteti i projektuar është rreth 1 milion pasagjerë në vit. Projekti parashikon të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për ta bërë aeroportin e Kukësit një aeroport të standardeve europiane, pjesë e të cilit do të jetë zgjerimi i pistës në krahun verior me rreth 500 metra, një terminal i ri, si dhe një kullë e  re.​

    No videos found.