Afati i fundit për të regjistruar adresën e saktë brenda prillit, Veliaj: Nxitoni, ose do gjobiteni

20 Prill 2019, 12:56

Fundi i muajit prill është afati i fundit për të gjithë qytetarët që të transferojnë gjendjen civile në adresën e saktë. Kryebashkiaku Erion Veliaj u ka bërë apel qytetarëve që të mos e neglizhojnë këtë procedurë, pasi në të kundërtën do të gjobiten.

I pranishëm në një aksion për shtimin e gjelbërimit të hapësirave të përbashkëta në bllokun e pallateve pranë rrugës “Jordan Misja”, numri një i kryeqytetit tha se ky ndryshim do t'u vijë në ndihmë vetë qytetarëve të cilët do të kenë mundësi të marrin më shpejt dhe të përfitojnë më shumë shërbime.

 “Deri në fund të prillit kemi afat që të shfrytëzojmë pa pagesë hapësirën ligjore për t’u regjistruar në njësinë ku banon. Në mandatin e dytë dhe për çfarëdo lloj vendimmarrje tjetër, na lipset të dimë ekzaktësisht kush banon këtu. Të ndihmon për votimin, për të pasur një qendër votimi afër, për të pasur qendër shëndetësore e shërbimet falas, për regjistrimin në shkollë, kopsht, çerdhe të fëmijëve. Bëje pa pagesë, sot deri në fund të prillit kemi afat! Përndryshe vjen prapë ajo gjoba e famshme, që është një mënyrë për të disiplinuar pak këtë proces të atyre që janë neglizhentë. Mos neglizhoni!”, tha kryebashkiaku.