Afrikano-amerikani i vdekur nga policia, trazira të dhunshme në SHBA... Gjendja e jashtëzakonshme në Minneapolis

29 Maj 2020, 09:12

Edhe nata e tretë e protestave në qytetin Minneapolis, në shtetin e mes-perëndimit amerikan Minnesota, për vdekjen e një burri afrikano-amerikan që ishte ndaluar nga policia, u shndërrua në protesta të dhunshme.

Forcat e policisë, të cilat nga ana e tyre kanë përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe pompa uji me presion, janë përballur me zemërimin e mijëra njerëzve të cilët kanë djegur disa ndërtesa si dhe kanë goditur dhe shkatërruar disa makina të forcave të rendit, deri edhe duke i vënë zjarrin teksa nuk kanë munguar edhe bastisjet e disa dhjetra dyqaneve, ku në njërin prej tyre pronari hapi zjarr duke lënë të vdekur një person.

George Floyd, 46-vjeçari afrikano-amerikan që vdiq nën këmbët e oficerit të policisë më 26 maj, u dyshua se lëvizte me mjet identifikimi të rremë. Efektivi i rendit e ndali atë me forcë duke i mbajtur gjurin në qafë për plot 8 minuta, pavarësisht thirrjeve lutëse të të ndaluarit se nuk mund të merrte dot frymë, gjë e cila sipas ekspertizës i shkaktoi atij vdekjen prej mbytjes.

Protesta janë organizuar edhe në shumë qytete të tjera të Amerikës, përfshirë Nju Jork Oakland, Kaliforni dhe Kolorado. Qindra protestues edhe nga lëvizja Black Lives Matter bllokuan trafikun në Autostradën 101 në Los Angeles dhe shkatërruan një makinë policie. Në Denver, u vendos bllokimi i Kapitolit të Shtetit nga ana e policisë pasi tubimet u shoqëruar edhe me të shtëna armësh