Ahmetaj: 400 milionë euro nga donacionet do shkojnë për rindërtimin e shtëpive!

19 Shkurt 2020, 19:08

400 milionë euro do të jetë vlera e donacioneve që do të shkojë për rindërtimin e shtëpive, ndërkohë që gati 250-300 milionë euro, do të shkojnë për riparimin e shtëpive.

"Nuk jam në gjendje t'iu them me cent sa do të shkojnë për shtëpitë, nuk mund ta them, kur të ketë procedurat ndërkombëtare të prokurimit, fondet limite mund të dalin edhe me kursime, për shkak të procesit të hapur ose garës. Për shtëpitë do të ketë një shumë gati 400 milionë euro, vetëm për rindërtimin. Për riparimin është pjesa e granteve, prej gati 250- 300 milionë euro. Dëmi për shtëpitë është përllogaritur 696 milionë euro. Gjithë dëmi do të kurohet në lotin e madh të rindërtimit të shtëpive, dhe të riparimit të shtëpive. Janë të panegociueshme për t'u bërë dhe do të bëhen", tha Ahmetaj.

Ministri i shtetit për rindërtimin tha se Enti Kombëtar i banesave ka bërë gati modelin e njësive individuale që do t'i kalojnë njësive zbatuese, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë së Tiranës për të hapur procedurat ndërkombëtare të prokurimit. "Janë mbi 3500 njësi që rezultojnë për t'u shembur, por pas gjithë kësaj shifre ka dhe vazhdon të ketë një proces të vlerësimit të thellimit, ku prezente është edhe prokuroria", tha Ahmetaj.