Njëri nga studentët në Vlorë ka debatuar me kryeministrin për kushtet në Shqipëri, jo vetëm në universitet, por edhe mundësitë për punë. I riu tha se në Shqipëri po i vritet shpresa, ndërsa shefi i qeverisë u përgjigj duke thënë se krahasuar me 5 vite më parë gjendja ka ndryshuar.
Studenti në Vlorë: Ai tjetri të vriste në bulevard, ju të vrisni shpresën. Më vjen shumë rëndë nga vetja që jam në Shqipëri. Më mirë të pastrosh haletë jashtë se këtu.... Ne po themi të na bëni diçka konkrete, jo hajde këtu, dhe të bëjmë këto, kryeministri bëri sikur na dëgjon.... I shkon një politikani, po jo ne, pasi jemi lodhur. Një FRESSH-it më premtoi se do më fuste në punë para dy vitesh, më mori kartën që të më anëtarësonte te forumet tuaja, ndihem i degjeneruar. Jeni bërë bajat të gjithë nuk duroheni më...
Edi Rama: Jam dakord se shumë gjëra nuk shkojnë, por vendi nuk është njëlloj si 5 vite më parë. Unë jam në këtë punë se besoj që ky vend bëhet. Ti dhe kushdo tjetër që më krahasoni me të tjerët më merrni të keqen. Pasi nëse do të isha si të tjerët do të haje një kokërr plumbi ballit.
Studenti në Vlorë: Nuk është se e di ligjin e arsimit të lartë, por po shikoj pasojat që kam. Ju shkatërruat ëndrrën time për sociologji dhe tani po studioj për një lëndë tjetër që nuk e dua. Nuk e kapa në sistem sociologjinë.
Edi Rama: Të tjerët ishin para teje në sistem. Kjo është jeta. Të lutem mos e tepro se po të respektoj.
Studenti në Vlorë: Ju më thatë dil jashtë nëse nuk je dakord, por do të dalë ndonjë që të na mbajë këtu, apo jo, se po ikim të gjithë.
Edi Rama: Njerëzit mund të ikin dhe mund të vijnë, pasi nuk jetojmë në bunker. Edhe një superfuqi të zbresë këtu nuk e bën Shqipërinë konkurruese me Gjermaninë. Shqipëria nuk mund të ofrojë Gjermaninë ty.