Akademia e Forcave të Armatosura rihap pas 10-vjetësh ndërprerje studimet në nivel bachelor

2 Nëntor 2020, 14:13 | Përditesimi i fundit: 2020-11-02 14:15:14

TIRANË- 60 të rinj e të reja fitues nisën këtë të hënë studimet në Fakultetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka vuri në dukje se është dashur punë e vendosmëri për ta rihapur Akademinë e FA, mbylljen e të cilës e evidentoi si një nga gjëmat më të pakuptueshme të tranzicionit.

“Nëse ne duam të ndërtojmë një forcë moderne, nëse duam të ndërtojmë një forcë profesioniste, dhe mbi të gjitha nëse duam të ndërtomë një forcë të ngritur jo mbi mikun e tarafin e mbështetjen politike, por mbi meritokracinë, rruga kalon nga Akademia. Është e pamundur të ndërtojmë një forcë të standardeve të NATO nëqoftëse na duhet vazhdimisht të mbështetemi tek bujaria e partnerëve e aleatëve për të përgatitur oficerët tanë”, u shpreh në fjalën e saj, ministrja Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes theksoi se diploma që të rinjtë do të marrin në fund të studimeve ushtarake u jep mundësi të jashtëzakonshme punësimi e karriere jo vetëm në FA e Shqipëri, por kudo në strukturat e NATO! Sipas ministres sfidë tanimë është ngritja e kësaj akademie në nivelin e një akademie të një vendi të NATO.

E pranishme në këtë ceremoni, ministrja e Arsimit Evis Kushi e cilësoi historike, rihapjen e Akademisë së FA. Ministrja Kushi theksoi se nuk ishte aspak e këndshme për të të uronte nisjen e vitit akademik me auditore bosh, por pandemia krijoi rrethana të cilat nuk mund të shmangen, vetëm duhen përballuar me qetësi e durim. Nga ana e tij shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral major Bajram Bega tha se të rinjtë që do të diplomohen në këtë akademi do të formësojnë të ardhmen e FA.

Për të studiuar në Akademinë e FA aplikuan rreth 600  të rinj e të reja, por vetëm 60 prej tyre u përzgjodhën. Mes fituesve 13 janë vajza.