Akademikët Korkuti e Dado, të ngrihet një shtatore për Ismail Qemalin

1 Tetor 2019, 22:43

TIRANË- Të ngrihet një shtatore madhështore, siç i takon themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar. Kjo ka qenë kërkesa e akademikëve për të kremtuar 100-vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit, i cili u shpall edhe viti i tij. Ndërsa që nga janari ende vazhdojnë të kremtohen aktivitetet për këtë 100-vjetor, zëri i akademikëve nuk është dëgjuar.  Akademiku Myzafer Korkuti në një intervistë për “Shqiptarja.com” thekson ndër të tjera se “Duhet të ngrihen përmendore me karakter kombëtar, dhe t’i dedikohen historisë së kombit. P.sh., bulevardi quhet “Dëshmorët e Kombit”, pa asnjë dëshmor.

Ndërsa akademikja Floresha Dado është shprehur se: “Ne të gjithë e kemi mbështetur idenë. Një shtatore për Ismail Qemalin, ashtu si një e një bëjnë dy, patjetër duhet ngritur. Kjo çështje nuk kërkon më diskutim. Madje jemi të vonuar. Duhet të miratohet nga qeveria.”

Në të vërtetë çështja e shtatores së liderit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u ngrit që kur u organizua 100-vjetori i saj, më 2012-n, nën qeverisjen e Partisë Demokratike.

Një konkurs i dështuar, i organizuar nga Komisioni Shtetëror i jubileut, përfundoi me një monument abstrakt që qëndron sot në ish Parkun Rinia. Shtatoret e paraqitura, nuk patën realizime artistike. Tri nga mjeshtrit më të njohur të skulpturës, nuk e thanë arsyen pse në atë kohë dhanë dorëheqjen nga konkursi.   

Në 2012-n, monumenti i 100-vjetorit u prit me protesta, ku një pjesë e akademikëve e quajtën me ironi edhe “kioska e pavarësisë”.

E ndodhur nën presion, qeveria Berisha, që bëri të mundur realizimin e shtatores madhështore të Mbretit Zog, delegatit 17-vjeçar të krahinës së Matit në shpalljen e Pavarësisë, sajoi një zgjidhje emergjente për një shtatore të vetë Ismail Qemalit.

Kjo shtatore që u vendos në një lulishte dytësore pranë sheshit “Nënë Tereza”, për kritikët e artit dhe specialistët e arkitekturës nuk e ka dimensionin e një shtatoreje që duhet.

Improvizimi me gurin e sjellë nga vendlindja e Ismail Qemalit, Kanina, nuk e ngriti dot në piedestal veprën e Odise Paskalit. Ky skulptor i madh këtë shtatore në mënyrë të pagabueshme e kishte përshtatur posaçërisht për një panteon muzeal.

    No videos found.