Aksidentet/ Eksperti për Report Tv: Rrugët, shpejtësia, autoshkollat dhe alkooli shkaktarët, masa që duhet marrë

11 Nëntor 2019, 17:44 | Përditesimi i fundit: 2019-11-11 18:14:43

Mbrëmjen e djeshme një aksident i rëndë i mori jetën 17 vjeçarin Kristian Vasili, e ndërsa 5 persona të tjerë mbetën të plagosur. 19 vjeçari Alban Dervishi, Rei Oka, 18 vjeç, Armando Kuqo, 25 vjeç dhe Ema Deliu, 25 vjeçe u transportuan në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmën mjekësore. Në spital për tu mjekuar shkoi edhe Kristian Vasili, por për shkak të plagëve të shumta të marra në trup, ai ndërroi jetë. Pak orë pas aksidentit, policia vuri në pranga 18 vjeçarin Fatjol Fusha, duke e akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Duke drejtuar mjetin e tij tip Benz me targë AA 131 ZZ, ai përplasi një automjet tip “Porsche” i cili ishte i parkuar në anë të rrugës. Burime pranë policisë bëjnë me dije se Fusha ishte nën efektin e alkoolit, e ndërsa dyshohet se ishte duke bërë garë në autostradë, ku të dukshme janë edhe shenjat e frenimit në rrugë, ndërsa mësohet se nuk dispononte leje drejtimi.

Edhe mbrëmjen e së shtunës në fshatin Bërzhitë, makina që i mori jetën dy adoleshentëve, drejtohej nga një 18 vjeçar po pa patentë. Për ekspertin e Sigurisë Rrugore, Gëzim Hoxha, ky fenomen është tepër shqetësues për shoqërinë. “Në bulevard shikon që ka edhe nga ata që marrin fëmijët 5 vjeç dhe i vendosin në timon përpara për ti mbajtur, për të luajtur fëmija me timonin. A thua se nuk do të ngasin makinë. Do të vijë një kohë që fëmija do të thotë “ç’mu desh që e ngas makinën”. Ne duhet të edukohemi si popull që çdo gjë do kohën e saj. Pra, fëmija nëse nuk mbush moshën nuk shkon në kurs të rregullt, nuk duhet ti japi makinës. Ka shumë prindër që mendojnë se t’ja mësoj makinën fëmijës që të vogël, se e mësoj unë”. Por ti nuk di ta ngasësh për vete, sepse ka një teori ngjarje dhe kjo teori ngjarje shpjegon format dhe mënyrat se si parandalohet aksidenti, si veprohet kur ka lagështirë, si veprohet kur ka ujë, si veprohet kur terreni është me dëborë, kur terreni është me akull, në rënë. Pra ka kushte të vështira që duhet patjetër ti bëjnë në autoshkollë, për të cilët edhe unë kam vërejtjet e mia sepse autoshkollat janë mbushur me specialist jashtë profilit transport. Edhe atje, nëse mësimi të bëhet në rregull, nuk bëhet teori ngjarje. Ka qenë një lëndë që unë e kam bërë në fakultet, 400 orë teori ngjarje. Makina nuk është aq e lehtë sa e mendojnë këta. Është më e lehtë avioni se sa makina” tha Gëzim Hoxha, ekspert i Sigurisë Rrugore.