Aksidentet me makinë, dëmshpërblimin dhe detyrimet në një dosje online...Si ta aksesoni

11 Shkurt 2020, 14:31

TIRANË - Qytetarët që kanë pësuar një aksident me automjetin e tyre, ndërkohë që e kanë të siguruar në një kompani sigurimi, do të mund të shohin online ecurinë e dosjes së dëmshpërblimit. Kjo pasi Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare njofton se tashmë është ndërtuar regjistri online i integruar për të gjitha dëmet e ndodhura.

Ky regjistër online i AMF-së dhe shoqërive të sigurimit mundëson komunikimin online të qytetarëve, të cilët pasi regjistrohen në regjistër pajisen me një numër identifikimi unik dhe online mund të ndjekin hap pas hapi dosjen e tyre për të përfituar pagesën për dëmin që iu ka ndodhur.

Po ashtu nëpërmjet këtij njoftimi AMF këshillon të gjithë qytetarët që në rast aksidenti të raportojnë menjëherë tek kompania e sigurimit për dëmin e tyre, dhe brenda së njëjtës ditë ata do të pajisen edhe me numrin unik për të ndjekur më pas edhe dosjen e tyre dhe për të parë se çfarë dokumentacioni duhet plotësuar më tej.

Nga ana tjetër Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton se po punon për ndërtimin edhe të një sistemi tjetër ku do të listohen të gjitha dëmet e mëparshme të automjetit në bazë të numrit të shasisë. Në bazë të kësaj risie qytetarët do të kenë të mundur të njohin historikun e mjetit motorik.