Aksidentet rrugore/ Eksperti në Report Tv: Ndikon keq organizimi i policisë, mua më lanë 1 muaj pa patentë...

1 Nëntor 2019, 14:27

Ditët e fundit në vendin tonë janë shënuar disa aksidente ku si pasojë kanë humbur jetën disa persona. Për të diskutuar në lidhje me aksidentet dhe shkaqet e tyre në vendin tonë, në studion e Report Tv ka qenë i ftuar eksperti i sigurisë Rrugore Gëzim Hoxha.

Hoxha ka thënë se një nga shkaqet kryesore që ndikon në shtimin e aksidenteve është mungesa e një analize të aksidenteve dhe pse këto aksidente ndodhin. Sipas Hoxhës policia mjaftohet të gjej fajtorin në një aksident dhe nuk merret me analizimin e shkaqeve apo problematikave të mjetit e të rrugës.  

Ndër të tjera Hoxha ka deklaruar se një pjesë e fajit i mbetet edhe policisë pasi sipas tij, aty ku duhet të ketë polic, nuk ka, ndërsa masat shtërnguese nuk japin efekt pasi janë të gabuara.

Gëzim Hoxha për Repor Tv ka treguar edhe një rast konkret, që i kishte ndodhur personalisht, ku policia i kishte marrë patentën për tejkalim shpejtësie. Ai ka thënë se kjo është një metodë e gabuar, pasi patenta përdoret për nevoja dhe jo për qejf. Ndërsa ndër të tjera hoxha ka thënë se për të parandaluar këto aksidente duhet të rregullohen pikat e zeza për aksidentet dhe jo vetëm të thuhen se cilat janë këto pika në rrugët e Shqipërisë.

"Është cështje organizmi. Patenten njerëzit e kanë për punë jo që ta heqi polici. Aty ku duhen policë nuk ka policë; Policia ka ligje që janë kundër shoferëve. Nëse te cojnë për komision me mire rri pa patente një muaj dhe pret patenten se sa të shkosh në gjykatë administrative. Mua më kanë hequr patenten për këtë rast. Kam qenë një muaj pa patentë për shpejtësi. Këtu për 5 km/h me shumë të heqin patentën. Në Kosovë është mbi 50 km/h , poshtë 50 km/h të vedosin gjobë." tha eksperti.