TIRANE - Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, doli në një deklaratë për mediat, për t'i përcjellë së pari administratës tatimore, se lufta kundër informalitetit nuk është një plan masash i përkohshëm, por vullnet i fortë i qeverisë shqiptare - siç ajo u shpreh - për të vënë rregull në treg.
"Këtë takim me median, e kemi thirrur për të ndarë me ju dhe përmes jush me publikun e gjerë, një mesazh të qartë të Administratës tatimore, se lufta kundër informalitetit nuk është një plan i përkohshëm masash, por vullnet i fortë i Qeverisë Shqiptare për të garantuar rregulla të barabarta në treg; për të mbështetur biznesin që i respekton rregullat dhe punon çdo ditë për të siguruar fitime në mënyrë të ndershme. Administrata Tatimore dhe veçanërisht Strukturat e Monitorimit në Terren, po zbatojnë këtë plan operacional, kunder Informalitetit, i cili do të jetë sistematik, i bashkërenduar edhe me institucione të linjës, të koordinuar nga Ministria e Financave, në të gjithë territorin e vendit", tha Ibrahimaj.
Në deklaratën e parë për shtyp, drejtoresha e emëruar një javë më parë në këtë detyrë, tha se nuk do të tolerohet asnjë biznes që shkel ligjin.
"Asnjë sipërmarrës nuk mundet që të pasurohet duke shkelur ligjet në kurriz të të tjerëve. Nuk do të ketë më bare, lokale apo hotele që operojnë në treg pa NIPT-e. Nuk mund të ketë biznese që raportojnë xhiro sa një ambulant. Kjo bie ndesh me parimet e barazisë në treg, bie në kurriz të qytetarëve që kërkojnë me të drejtë shërbime publike të merituara, sepse ata paguajnë TVSH në çdo blerje që bëjnë, por kjo humbet në xhepat e biznesit që nuk e deklarojnë atë. Nuk ka asnjë tolerancë në këtë luftë! Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë!", tha Ibrahimaj.