Aksioni anti-informalitet, Krimi Financiar bën bilancin: 39 të arrestuar, 1764 biznese në 'sitë'

11 Shtator 2019, 15:02 | Përditesimi i fundit: 2019-09-11 19:52:09

1764 subjekte janë kontrolluar në kuadër të aksionit anti-informalitet. Po në saj të këtij operacioni janë arrestuar e ndaluar 39 persona . 348 subjekte janë vënë nën hetim ndërsa janë ndjekur penalisht 64 zyrtarë të administratës. Ndër zyrtarë të administratës janë arrestuar 5 vetë dhe 1 është shpallur në kërkim.

Bilanci është bërë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, nga drejtori për Krimet Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, Lutfi Minxhozi.

Minxhozi ka deklaruar se bilanci është bërë deri në datën 10.09.2019, në zbatim të Planit të Masave “Kundër informalitetit në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, tregtimin e mallrave me akcizë dhe evazionin fiskal”, “Për evidentimin e subjekteve në vijën bregdetare që ushtrojnë aktivitet biznesi të shërbimit pa  leje (kontrata me njësitë vendore)”, si dhe të Planit të Veprimit të përbashkët me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në bashkëpunim edhe me strukturat e qeverisjes vendore dhe të tatimeve e doganave.Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale ka deklaruar se nga 1,764 subjekte të ndryshme të kontrolluar ndër to 892 janë shërbime vend-pushimesh, 703 lokale në bregdet, 321 hotele, 8 subjekte karburesh, 55 ndërtime pa leje, 59 raste për territore të pushtuara dhe në 309 subjekte të tjera.

39 personat që janë arrestuar e ndaluar akuzohen për veprat penale të “Fshehjes së të Ardhurave”, “Mos lëshim kuponi tatimor dhe ushtrim aktiviteti tregtar të paligjshëm”, “Mospagim i taksave dhe i tatimeve”, “Mos kryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Ndryshimi në aparatet matëse”, “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, “Ndërtim i pa ligjshëm”, “Shkatërrim i pronës”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.