Aksioni në Vlorë/ Drejtoria Detare: Trageti me mbetje të rrezikshme i penalizuar disa herë

21 Shkurt 2020, 22:07

TIRANE - Drejtoria e Përgjithshme Detare ka bllokuar anijen, e cila u ndalua një ditë më parë në Portin e Vlorës pasi rezultoi se transportonte mbetje të rrezikshme. Lajmi është konfirmuar nga Paulin Ndreu, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, i cili ka deklaruar se menjëherë pas marrjes së njoftimit është ngritur grupi i punës i përbërë nga inspektorë të Kontrollit Shtetëror Portual.

Ndreu bën të ditur se nga inspektimi i kryer është konstatuar se dokumentacionin e anijes “S.T. Damian”, rezultoi se mallrat që kishte në bord nuk ishin deklaruar në dokumentin e deklarimit të mbetjeve që çdo anije dorëzon në portin ku mbërrin, teksa janë marrë edhe deklarimet e kapitenit dhe oficerëve të anijes.“Grupi i inspektimit i përbërë nga inspektorët e Kontrollit Shtetëror Portual bën inspektimin e detajuar të gjithë procedurës së këtyre mallrave dhe morën dhe deklarimin e kapitenit dhe të oficerëve të anijes. Në dokumentacionin e saj rezultoi që këto mallra nuk ishin deklaruar në dokumentin e deklarimit të mbetjeve që çdo anije dorëzon në portin ku mbërrin. Në këto kushte ne kemi bërë bllokimin e anijes deri në vendimin përfundimtar të organeve të specializuara dhe vlerësimin e materialeve të rrezikshme. Në pamjen e parë nga inspektimi që është bërë, ato janë mbetjet e një anije, të ndërrimit të dhomave dhe veshjeve të anijes. Megjithatë, vlerësimin përfundimtar do ta japin laboratorët të cilët do të përcaktojnë se cili është niveli i këtyre mbetjeve, sa të rrezikshme janë. Jemi gjithmonë në pritje të hetimit dhe përfundimit të hetimeve dhe pastaj ne do të bëjmë vlerësimin e të gjithë situatës dhe mbi vlerësimin e të gjithë situatës dhe të përgjigjes ne do të marrin edhe masat të cilat normalisht do të shkojnë nga minimalja deri në masa ekstreme”, u shpreh Ndreu.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare bëri të ditur se anija në fjalë ka shkelur disa prej Konventave Ndërkombëtare teksa sqaron se kjo kompani ka qenë në vëzhgim nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme Detare pasi është konstatuar edhe herë të tjera për vepra të kundra ligjshme detare, madje ka pasur dhe penalzime ndaj saj, sa i takon mënyrës së operimit dhe thyerjes së rregullave dhe urdhrave në ujërat territorial të Republikës së Shqipërisë.