Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nga SHBA-ja ku ndodhet në një vizitë u ka dërguar një mesazh banorëve të Unazës së Re që të rezistojnë 'përballë terrorit dhe dhunës së ushtruar nga Edi Rama'. Kryemadhi shprehet se gazi lotsjellës dhe dhuna që përdori policia shqiptare ndaj grave dhe fëmijëve të Unazës së Re, jo vetëm që është kriminale, por një ditë do të paguhet mirë dhe do të dalin përballë drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj njerëzimit. Gjithashtu drejtuesja e LSI-së akuzon kryeministrin Edi Rama se po vijon që të provokojë opozitën shqiptare.
"Jam në mbështetje të plotë të banorëve të Unazës së Re. Dhuna dhe terrori i ushtruar nga Edi Rama dhe falangat e tij të krimit, të cilat kanë kapur Policinë e Shtetit dhe të gjitha instrumentet shtetërore, nuk është gjë tjetër veçse instalimi përfundimtar i narko shtetit dhe krimit të organizuar nën emrin e qeverisë shqiptare. Gazi lotsjellës, dhuna që përdori policia shqiptare ndaj grave dhe fëmijëve në orët e para të mëngjesit ndaj banorëve të Unazës së Re, jo vetëm që është kriminale, por një ditë do të paguhet mirë dhe do të dalin përballë drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj njerëzimit.Sot më shumë se kurrë ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë diktaturës së krimit të Edi Ramës, i cili po e instalon dhe do të mbajë përgjegjësi për të gjithë kapjen e shtetit nga krimi i organizuar, për pastrimin e parave, për trafikun e drogës, për shkatërrimin e institucioneve të drejtësisë, për shkatërrimin e reformave, qoftë kjo reformës në drejtësi, reformës së administratës publike, për bllokimin e të gjitha institucioneve shqiptare. Ai sot vazhdon akoma më shumë, në mënyrë të pareshtur, provokimin ndaj opozitës shqiptare, por mbi të gjitha duke provokuar qytetarët shqiptarë, duke i detyruar ata për t’u larguar nga Shqipëria dhe për të ndërtuar jetën e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë. Sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund të realizojë planin e tij anti shqiptar.