Aktori Genc Fuga: Lashë gjunjët tek 'Dance With Me', në dasmën tonë vetëm Eni kërceu

28 Janar 2019, 09:54

Çifti i aktorëve bashkëshortë Eni Jani dhe Genc Fuga u shpallën dhjetorin e kaluar fituesit e edicionit të 5-të të “Dance With Me”. Por përtej magjisë së spektaklit që të gjithë kanë mundur të shohin përmes ekranit të vogël, pak e dinë që pjesëmarrja në këtë shoë kërcimi kërkon shumë sakrifica e madje lë edhe pasoja ndonjëherë. I tillë ishte dhe rasti i vetë njërit prej fituesve, aktorit Genc Fuga. I ftuar sot në emisionin "Rreze Dielli" në Report TV për të folur mbi pjesëmarrjen në shfaqjen e fundit "Mbretëresha e bukurisë" që vjen këtë fundjavë në Teatrin Eksperimental, Fuga pranoi se "Dance With Me" ishte eksperiencë e bukur por që i kushtoi sepse iu desh të merrte mjekime për gjunjët.

Shumë e bukur. Përpara se të futesha tek "Dance With Me" nuk kisha probleme me gjunjët. Ishte një periudhë e parë shumë e fuqishme, dhe nuk i dija sekretet e profesionit të tyre (balerinëve) kështuqë kam kaluar 2 herë rresht ujë në gjunjë që i kam kuruar më pas dhe ishim pa asnjë ditë pushimi. Mbase kemi marrë të njëjtat ilaçe me Laurën... Unë nuk e dija, por investimi ishte tek ato llastiqet që ti mbajnë jashtëzakonisht mirë gjunjët. Në 2/3 e spektaklit unë kam mbajtur nga ato ndërsa kërceja.Nëse do thosha cila është ana e keqe, ishte që të largon shumë nga përditshmëria. Por në fakt ne për këtë arsye u futëm. E thënë ndryshe, janë 4 muaj që ti dëgjon gjëra të bukura, shikon gjëra shumë të bukura dhe bëhesh pjesë e krijimit të një gjëjë shumë të bukur, dhe kjo të përkëdhel sedrën.