Aktori i '2 gisht mjaltë': Eksperiencë e bukur, por është film për të bërë lekë

22 Mars 2019, 16:18

Kanë ngelur vetëm pak ditë nga prezantimi nëpër kinema e filmit “2 gisht mjaltë” me pjesëmarrjen e Ermal Mamaqit dhe Elvana Gjatës e duket se kurioziteti është shumë i lartë. Por çfarë mendimi ka aktori Ervin Bejleri i cili ka një rol në këtë film? I ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, Bejleri foli shumë shkurt duke thënë se “2 gisht mjaltë” është një film komerçial, është një film për të bërë lekë.

I pyetur ndërkaq për vlerat artistike të filmit aktori ka thënë se ende nuk e ka parë, por që nga ana e stafit është shumë i kënaqur duke qenë se të gjithë kanë qendruar korrektë.

Është një film komerçial, është një film për të bërë lekë. Kaq! Vlera artistike?! Nuk e kam parë ende. Stafi ishte shumë korrekt, si ai teknik, si ai produksional. Është një film komercial, për të bërë lekë, por që për mua këta filma duhet të prodhohen pse jo? Ka nevojë populli, ka nevojë publiku. Italianët ka vite që bëjnë këto lloj filmash.

Ervin Bejleri, aktor

Aktorin Ervin Bejleri, përveçse në filma e kemi parë edhe në teatër apo televizion. Së fundmi roleve të tij të shumta i është shtuar edhe premiera e shfaqjes “Antigona”  vjen në skenën e Teatrit eksperimental në 22, 23, 24 dhe 25 mars.