Aktualitet Masakra e Peshkëpisë, Krimet e Rënda marrin në pyetje Fredi Belerin, akuzohet për akt terrorist

22 Maj 2019, 15:48 | Përditesimi i fundit: 2019-05-22 17:29:21

TIRANE-Prokuroria e Krimeve të Rënda pas rihapjes së dosjes së masakrës së Peshkëpisë ka marrë sot në pyetje Fredi Belerin, i cili ishte njëri nga anëtarët e komandos ekstremiste greke në 10 prill 1994 në Gjirokastër. Gazetari i Report Tv Artan Hoxha raporton se Beleri është marrë në pyetje për tre orë ditë e sotme nga 12:00 deri në 15:00. Para dy muajsh kur u hap dosja ai u shpall në kërkim policor, por nuk u gjet, pasi ishte larguar jashtë vendit, ndërsa u thirr për të dhënë dëshminë dhe sot u paraqit së bashku me avokatin.

Artan Hoxha thekson se Belerit i është komunikuar që është marrë nën hetim për akuzën e aktit terrorist mbi ngjarjen. Beleri është shprehur se nuk ka qenë në masakrën e Peshkëpisë dhe për këtë ka prova. "Erdha në prokurori që të mbarojë baltosja mbi figurën time për një cështje që nuk kam asnjë lidhje. Në ditën që u bë veprimi unë kam qenë në Qipro. Nuk jam marrë në hetim" tha deklaruar ai per Top Channel. 

Hetimi i kësaj ngjarje, ku mbetën të vrarë, dy “Dëshmorët e Atdheut”, komandanti i repartit Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini, nuk iu besua prokurorisë së Gjirokastrës, por asaj të Krimeve të Rënda, pikërisht pasi ngjarja është cilësuar akt terrorist. Ndërkohë që prokuroria ka sekuestruar dokumentarët e gazetarit Artan Hoxha dhe Marin Memës që japin dëshmi lidhur me ngjarjen.

Në datë 20 mars të këtij viti Shqiptarja.com zbuloi se dosja është rihapur nga prokuroria. Por përse është marrë në pyetje Beleri? Ai rezulton se ka qenë pjesë e komandos ekstremiste greke në momentin e sulmit kundër postës shqiptare në Gjirokastër.