Aktualitet Tërmeti i 26 nëntorit/ Ku janë sot hetimet për 51 jetët e humbura, vetëm një dosje në gjykatë!

26 Nëntor 2020, 09:42

Një vit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ku humbën jetën 51 persona, vetëm njëra nga dosjet penale të nisura nga prokuroria Shqiptare, ka përfunduar në gjykatë.

Hetimet e drejtuara nga prokuroritë e Durrësit, Tiranës, Kurbinit, Krujës dhe Lezhës kishin qëllim evidentimin dhe ndalimin e personave, që kishin përgjegjësi penale, për dëmtimin e rëndë të ndërtesave ku ishin regjistruar viktima në njerëz.

Por duket se pas një viti këto hetime janë zbehur, pasi nuk është ai revansh si në fillim të muajit dhjetor dhe janar, i prokurorëve, për të hetuar e ndaluar personat përgjegjës. E vetmja dosje, që u finalizua dhe dërgua në gjykatë, ishte ajo e prokurorisë së Durrësit me 16 të pandehur, biznesmenë dhe ish-zyrtarë të ALUIZNI, e zyrës së urbanistikës të Bashkisë Durrës. Prokuroria e Durrësit, e cila mbulonte zonën me dëmet më të mëdha në njerëz, 23 të vdekur dhe objekte të shumta të dëmtuara, në muajin dhjetor 2019, urdhëroi arrestimin e 18 personave, mes të cilëve, çiftin e inxhinierëve Arben Qato, Dëshiran Qato, pronare e “Vila Palma”, Ruzhdi Xheka pronar i hotel “Mira-Mare”, Ramiz Shehu, ndërtues i “Vila Lala” dhe Abdulla Osmani, pronar i hotel “Tropikal”.

Mes të arrestuarve ishte dhe Ahmet Doda, Drejtori i Kavalishencës në Durrës dhe inxhinieri, Dëfrim Celami, të cilët tashmë kanë ndërruar jetë dhe akuza ndaj tyre është pushuar. Prokuroria argumenton se në ndërtimet e shembura që për pasojë u shënuan dhe viktima në njerëz, ishte përdorur beton dhe hekur në një shkallë të ulët. Ndërkohë dokumentacioni i objekteve ishte falsifikuar duke ngritur kate shtesë pa lejë dhe dobësuar strukturën mbajtëse të objekteve. Madje në disa raste, muret mbajtëse dhe kollonat e pallateve janë zëvendësuar me vetrata xhami të lokaleve dhe dyqaneve. 18 personat u ndaluan si të dyshuar për vepra penale të rënda si “Vrasje me dashje në mënyrë indirekete”, “Vrasje në rrethana cilësuese”, “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim dokumentesh”. Por pa kaluar dy muaj, pjesa dërmuese e personave të arrestuar u liruan nga gjykata e shkallës së parë dhe Apelit Durrës.