AKU bllokon 1.6 ton mish brenda një llotoje, kushtet skandaloze ku prodhoheshin qoftet

30 Gusht 2018, 17:12

Në kushte skandaloze, brenda një bar kafeje/lloto AKU-ja ka bllokuar një sasi të konsiderueshme  mishi të grirë, fileto pule, brumë për qofteje dhe lëndë të parë mish që shërbenin për të prodhuar qofte. AKU-ja konstatoi se ubjekti MILITA DASIC disponon edhe një tjetër magazinë, aty ku u bllokua një sasi tjetër mishi, në total 1.6 ton.

Ndaj subjektit u mor edhe masë administrative gjobë 2.200.000 lekë, bllokim të produkteve në sasinë 1630.8kg (në ambientin e prodhimit dhe të magazinimit) si dhe ndërprerje e aktivitetit prodhues, tregtues.

"Trupa inspektuese e DRAKU, Tiranë në bashkëpunim me krimin ekonomik kanë evidentuar një subjekt me aktivitet “Bar-Kafe/Lloto” që përpunonte ilegalisht mishin dhe nën produktet e tij në kushte skandaloze – për rrjedhojë sjell rrezikshmëri të lartë për sigurinë ushqimore.

"Konkretisht, AKU konstatoi se subjekti MILITA DASIC me aktivitet “Bar-Kafe/Lloto” me Nipt L81308019L përpunonte, ambalazhonte dhe tregtonte produktet (10 kg mish i grirë, 10kg fileto, 50 kg brumë qofteje dhe 50 kg lëndë e parë mish,) në kushte të rënda higjeno-sanitare dhe të pa shoqëruara me etiketë. Pra, ky subjekt është i regjistruar për “bar-kafe/lloto” dhe jo për “prodhim/përpunim mishi”.

Për më tepër, gjatë inspektimit u konstatua se subjekti i sipërcituar, disponon edhe një tjetër ambient (magazinë) të regjistruar në QKL, me aktivitet specifik: Shitje me shumicë e ushqimeve me origjinë shtazore ku u gjendën produkte me afat përdorimi të kaluar (120 kg qofte, 48 kg shishqebap) si dhe 1342.8 kg mish dhe nën produktet e tij të me mungesë të plotë dokumentacioni",-sqaron AKU.

Përgjatë gjithë verës AKU-ja ka vijuar kontrollet në të gjithë vendit. Si pasojë e mungesës së kushteve higjieno-sanitare ku tregtohej dhe mungesës së vulës pak ditë më parë u bllokuan edhe 308 kg mish në katër thertore të Pogradecit e Korçës.