AKU: Të tërhiqen nga tregu birrat Paulaner të importuara në 1 vit! Gjobitet kompania shqiptare

26 Maj 2019, 17:41

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur me 1.2 milionë lekë një subjekt shqiptar (Denis sh.p.k) që importonte në vendin tonë birrë Paulaner dhe e ka detyruar të tërheqë nga tregu shqiptar dhe të kthejë në vendin e origjinës birrën e importuar nga periudha 2018-2019.

AKU thotë se u vendos kthimi në vendin e origjinës edhe i 13.600 kanaçeve birre Paulaner 0.5 litra të cilat ishin me afat përdorimi deri në korrik 2019, të bllokuara në kufi.

Subjekti shqiptar, Denis sh.p.k në kundërshtim me ligjin në fuqi nuk dispononte dokumentacionin shoqërues të importit, duke mos pasur raport-analizë që shoqëron produktin. Ky raport-analizë përmban të dhëna identifikuese dhe individualizuese të produktit, ndërkohë që as certifikatat e origjinës dhe certifikatat e analizës nuk janë të përkthyera në gjuhën shqipe.

Ky vendim u mor pas bllokimit të një sasie prej 14.5 ton birrë Paulaner  në Pikën e Inspektimit Kufitar për mungesë dokumentacioni shoqërues dhe pas konfirmimeve te ardhura nga prodhuesi i birrës “Paulaner” mbi autenticitetin e certifikatës së analizave.

Masat e marra nga AKU

Për importim produktesh në kundërshtim me ligjin u vendos masa administrative  "Gjobë" me vlerën 1,000,000 lekë                                                                                                 

Për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë u vendos masa administrative "Gjobë" me vlerë 200,000 lekë,                                                                                                             

Subjektit iu ndaluar tregtimi i sasisë prej 13.600 kanaçe birrë “Paulaner” (0.5 L),

Referuar problematikës së dokumentacionit shoqërues, subjektit “Densi Shpk” iu la detyrë që të tërheqë produktin e shpërndarë, si dhe produkti “Birrë Paulaner” i praktikave të importit të periudhës kohore (2018-2019) të kthehet në vendin e origjinës.

"Autoriteti Kombëtar i Ushqimit shprehet i vendosur për të vënë përpara përgjegjësisë çdo praktikë mashtrimi, me fokus për të garantur zbatimin e ligjit, duke mos lejuar në asnjë rast që praktika të tilla të shkojnë në dëm të shëndetit të konsumatorëve", thuhet në një njoftim zyrtar të AKU-së.