Akuzat e PD, Bardhi: Valdrin Pjetri u dënua në 2003 në Itali me 18 muaj burg për trafik droge

13 Gusht 2019, 12:46 | Përditesimi i fundit: 2019-08-13 14:35:45

TIRANE-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi publikoi disa dokumente sipas tij kartela e nxjerrë nga kuestura e Firences, që tregon se kryebashkiaku i Shkodrës Valdrin Pjetri ka qenë dënuar në Itali me 18 muaj burg dhe një mijë euro gjobë për shpërndarje droge.

Bardhi u shpreh se Pjetri e ka pranuar krimin pas arrestimit në 27 janar 2003 së bashku me Altin Dodën dhe është dëbuar. Dënimi është pezulluar, pasi sipas drejtësisë italiane kur dënimi është poshtë dy viteve dhe për herë të parë pezullohet .

Për PD-në, dëshmia e penalitetit që publikoi pak ditë më parë Pjetri nuk ka vlerë, pasi sipas selisë blu pas kalimit të 10 viteve nga dënimi ajo del e pastër. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së akuzon kryeministrin Rama se ishte në dijeni të dënimit dhe informacionin sipas tij e ka marrë në të njëjtat kanale diplomatike si selia blu, por e mori në mbrojtje kryebashkiakun e ri.

"PD publikon kartelën e dënimit në Itali për trafik droge të Valdrin Pjetrit. Sipas dokumentit, Valdrin Pjetri është dënuar me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë. Valdrin Pjetri u arrestua në flagrancë në Firence më 27 janar 2003. Ai u dëbua nga Italia më 4 shkurt 2003.

Valdrin Pjetri u dënua më 21 qershor 2003 nga Gjykata e Firences Itali. Rama hesht dhe mbron Valdrin Pjetrin nga drejtësia. Edi Rama u njoftua nga partnerët ndërkombëtar për dënimin e Pjetrit. Valdrin Pjetrit i ndalohet nga ligji i dekriminalizimit të ushtrojë funksion publik" deklaroi Bardhi.

    No videos found.