TIRANE-Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla nga Elbasani ku mori pjesë në inspektimin e punimeve për rikonstruksionin e dy rrugëve u është përgjigjur sërish akuzave nga PD për lidhje me biznesmenin Edmond Bego. Balla u shpreh se ‘ne jemi të zgjedhur për të bërë punë, ndërsa ka ca të tjerë, që ju i dini kush janë, që janë të votuar vetëm për të bërë llafe dhe shpifjen e kanë pjesë të mentalitetit të punës së tyre’. Partia Demokratike përmes kryetarit të grupit, Spaho akuzoi sot se kompania e biznesmenit ka përfituar tendera me vlerë miliona lekë në ndërtimin e nënstacioneve elektrikë edhe pse nuk kishte përvojë. Spaho shprehet se Bego ka përfituar tenderat nga lidhjet me Ballën.
Autoritetet greke lanë të lirë sot biznesmenin shqiptar Edmond Bego, arrestuar pak ditë më parë teksa kthehej nga pushimet në Korfuz, për llogari të shtetit italian. Report Tv dhe Shqiptarja.com siguruan dokumentin e lirimit të policisë greke, që tregon se sot më 22 gusht Bego është lënë i lirë. Kujtojmë se një ditë më parë, ishte Interpol Roma ajo që i dërgoi një letër Interpol Athinës për të vërtetuar se shqiptari Edmond Bego nuk kishte asnjë çështje të hapur në shtetin italian.
Deklarata e Edmond Spahos
Arrestimi i trafikantit ndërkombëtar të drogës, Edmond Bego, mik familjar i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është dëshmia më e freskët sesi Edi Rama ka kriminalizuar gjithçka, që nga zyra ku punon, deri tek paratë që u merr shqiptarëve me taksa gjithnjë e më të larta. Partia Demokratike po publikon sot një provë zyrtare sesi buxheti i shtetit është vënë në shërbim të mikut kriminel të Taulant Ballës, I cili tha dje se nuk ishte përdorur si mburojë politike për ish anëtarin e bandës së Lushnjës. Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania “Inerte Express”, me pronar trafikantin e drogës dhe mikun e familjes së taulant ballës, nuk ka përvojë në ndërtimin e nënstacioneve elektrikë dhe se këtë funksion ai e shtoi në fund të dhjetorit 2017. Pak muaj më vonë, kompania pa përvojë e mikut trafikant droge të Taulant Ballës përfitoi një tender publik nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Dokumentat tregojnë se tenderi i OST-së me vlerë 100 milionë lekë i është dhënë trafikantit të dënuar me 21 vjet burg për drogë, në fillim të verës, në zemër të zonës elektorale të Taulant Ballës, në Librazhd. Kolegu im, Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla duhet t’u thotë shqiptarëve a ka bërë ai sekserin me OST-në, që miku i tij trafikant droge të fitojë një tender prej 100 milionë lekë? Sa më shumë të heshtë Taulanti pa sqaruar çfarë e lidh atë me miqësi familjare me një trafikant të rrezikshëm droge, që autoritetet italiane e kanë dënuar me 21 vjet burg, aq më shumë forcohet bindja për rolin e Taulant Ballës si sekser të miliona eurove që ia merr shqiptarëve për t’i ndarë me trafikantin e drogës.
Reagimi i Taulant Ballës
Nuk ka asnjë dyshim që Bashkia Elbasan është një prej modeleve më të mira të qeverisjes lokale që ne ofrojmë për qytetarët. Rruga që inspektojmë sot është një prej arterieve më të rëndësishme lidhëse të dy lagjeve më të mëdha të Elbasanit me qendrën e qytetit. Këtu janë të gjitha nivelet e punës, kanalizimet e ujërave të zeza, uji i pijshëm, troturaret dhe sigurisht një cilësi shumë e mirë e asfaltit që garanton jetëgjatësi dhe një punë të shkëlqyer.
Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, i cili nuk pushoi gjatë kësaj vere, por qëndroi në krye të këtyre punëve, erdhëm sot për të inspektuar këto punime dhe për të parë vijimin e punës intensive, në atë që ne e quajmë kantieri i Rilindjes Urbane të Elbasanit, jo vetëm në qendër, por tashmë po përfundon edhe në lagjet më periferike të këtij qyteti. Ky qytet meriton më shumë dhe ne jemi të angazhuar t’i qëndrojmë punës, sepse ne jemi të zgjedhur për të bërë punë. Ka ca të tjerë, që ju i dini kush janë, që janë të votuar vetëm për të bërë llafe dhe shpifjen e kanë pjesë të mentalitetit të punës së tyre