Akuzat e PD për Roshin dhe Doshin, Prokuroria e Përgjithshme për Report Tv: Kërkuam burg

18 Korrik 2018, 18:25

Pas vendimit të gjykatës së Tiranës e cila dënoi me 60 orë punë ish kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi për të cilin prokuroria kërkoi 7 muaj e 15 ditë burg, Partia Demokratike më 13 korrik nëpërmjet një deklarate për mediat akuzonte kryeprokuroren Marku se po falte personat e inkriminuar. “Partia Demokratike që në fillim ka bërë të qartë se emërimi antikushtetues i Prokurores Private Politike Arta Marku nga Edi Rama u bë për të shpëtuar nga burgu atë, ministrat e tij të korruptuar dhe kryebashkiakët e tij të lidhur me krimin e organizuar” shprehej PD.

Pas kësaj akuze, ReportTv iu drejtua zyrës së prokurorit të përgjithshëm nëse ka apo jo një reagim apo përgjigje. Në përgjigje të interesimit të ReportTv, Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet këshilltarit për media Denion Ndrenika sqaroi se “Ato që Ju, i emërtoni akuza, kurrsesi nuk i shohim si të tilla, por janë forma të nxitjes së debatit publik për çështje, të cilat për shkak të rëndësisë së subjekteve dhe mjedisit ku zhvillohen ato, janë bërë prej kohësh, pjesë e debateve politiko-mediatike dhe interesit publik’. 

Ndër to prokuroria e përgjithshme rendit si: çështja “Roshi”, ish - K/Bashkiaku i Kavajës, çështja “Doshi”, ish - deputet i PS, sot deputet i PSD-së, Tomë Doshi, çështja “Xhafaj”, vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, çështja “Tahiri”, ish - Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri etj. Besojmë se këto forma debati absolutisht nuk cënojnë prokurorinë, por përkundrazi shërbejnë si katalizatorë të përmirësimit të vazhdueshëm të institucionit, si përsa i takon zhvillimit të aktivitetit profesional, ashtu dhe rritjes së besimit të publikut. 

Në shtjellim të përgjigjeve nëpërmjet këshilltarit për media kryeprokurorja ka sqarua se me “Paketën e re kushtetuese dhe ligjore ka kufizim maksimal të kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm, si në aspektin administrativ, ashtu dhe ne aspektin procedural. Tashmë, prokurori i çështjes është titullari dhe përgjegjësi i padiskutueshëm i hetimit të procedimit penal. Prokurori i Përgjithshëm, qoftë i përkohshëm, qoftë me mandat, nuk ka asnjë tagër të ndërhyjë në një hetim konkret apo të japë urdhra, udhëzime për cështje konkrete, përveçse udhëzime të karakterit të përgjithshëm të parashikuara në ligj’. Ndalur tek rasti “Roshi” prokuroria sqaron se atë dosje e ka hetuar prokurori Enklid Gjini i cili ka kërkuar shpallje fajtor dhe dënim me 7 muaj e 15 dit burg, por gjykata ka vendosur vetëm 60 orë pune në interes publik.

Po ashtu edhe në rastin “Doshi” prokuroria shprehet se hetimet janë kryer nga prokurore Elsa Miha e cila ka kërkuar dënim me 1 vit burg por gjykata ka dhënë pafajësi, pafajësi të cilën prokuroria Miha e ka apeluar dhe dosja ndodhet në gjykatën e apelit. Adresimin e cdo rasti në emër dhe pranë zyrës së prokurorit të përgjithshëm, znj. Marku e cilëson si një traditë 26 vjecare të centralizimit të këtij institucioni i cili sot ka ndryshuar rrënjësit duke theksuar se pa dashur ta cilësoj si adresime të qëllimshme. “Me kalimin e kohës, opinioni publik do kuptojë përgjegjësitë e secilit prokuror në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykim. Por, pavarësisht kësaj, ky adresim ndihmon që, me mekanizmat që Prokurori i Përgjithshëm ka aktualisht në dispozicion, të hulumtojë mbi rastet dhe të identifikojë përgjegjësitë disiplinore, nëse ka”.

    No videos found.