Akuzat për grabitje votash? Biberaj: Trump luan me blofin! Pas këtyre zgjedhjeve COVID-i do 'tërhiqet'

4 Nëntor 2020, 13:56

TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, njëkohësisht nënshtetas amerikan tha në Report Tv se fitues në zgjedhje do të jetë Joe Biden.  Ai u shpreh se akuzat e Trump për vjedhje votash është presion dhe lojë politike.

"E kam ndjekur me shumë interes fushatën, ka qenë një fushatë interesante specifike, nuk ngjan me të tjerat kryesisht për shkak të Donald Trump, ndërsa Biden është një politikan karriere.

Është një sjellje e kuptueshme e Trump se vjen nga bota e biznesit, është një politikan kontravers, shumë i lirë në menaxhimin e politikës, nuk ka kostumin e një politikani konservator. Trump është një president që me deklarata e tij bën shumë bujë, ndërsa Biden ka qenë shumë i kujdesshëm, ai u afektua më shumë në debat. Trump duke qenë biznesmen luan me bllofin, nuk ka vend për prononcime të tilla që po vidhet vota ", tha ai.

Në Shqipëri, fitorja e secilit kandidat, për Biberajn nuk do të bënte shumë diferencë. Për të ndikim do të kishte më shumë në politikën botërore dhe në raport të sjelljes së Amerikës me Kosovën, nëse në krye të Shtëpisë së Bardhë do të vinte Joe Biden.

"Ndeshen dy modele shumë të ndryshme, kemi një president kontravers e Trump që ka bërë mirë për ekonominë, por s'ka bërë shumë në politikën ndërkombëtare ndërsa profili i Biden është profil i lartë politik, njohës shumë i mirë i politikës ndërkombëtare dhe nëse vijmë në interesat tona, Biden është një mik i shqiptarëve, ndërsa Trump treguan që nuk e njohin shumë situatën në Ballkan, se Kosovën e çuan në Gjirin Persik.