Akuzat për krime lufte ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit/ Prokuroria: Kemi 1500 prova dhe 153 dëshmitarë! Gjykimi të nisë në verën e 2021!

18 Nëntor 2020, 13:41 | Përditesimi i fundit: 2020-11-18 17:38:43

HAGË- Ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi si dhe Rexhep Selimi kanë dalë para Gjykatës Speciale në Hagë në seancën e dytë që ka nisur prej orës 11:00. Prokuroria ka kërkuar që gjykimi të nisë në verën e vitit 2021, por kjo është kundërshtuar nga avokatët e të pandehurve. Sipas tyre, gjykimi nuk duhet të nisë para qershorit të vitit 2022. 

Në fjalën e saj, Prokuroria ka deklaruar se ka 1500 prova që vërtetojnë akuzat e ngritura ndaj 4 ish- drejtuesve të UÇK-së, si edhe 153 dëshmitarë, për disa prej të cilëve kërkon masa mbrojtëse.Mbi 4 ish-drejtuesit i UÇK rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç'njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991.