Akuzat për krime lufte/ Zbardhet dosja e plotë për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin! Haga s'jep emra të viktimave, 29 persona u torturuan në Kukës e Has

1 Dhjetor 2020, 15:26 | Përditesimi i fundit: 2020-12-01 16:43:09

TIRANËDhomat e Specializuara të Kosovës në Gjykatën e Hagës kanë publikuar dosjen e plotë kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim.  

Në këtë dokument janë të gjitha akuzat e ngritura ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi mbi bazën e të cilave është bërë arrestimi i tyre.

Edhe pse gjatë seancave të para palët mbrojtëse insistuan që të zbuloheshin identiteti i viktimave dhe dëshmitarëve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pala akuzuese për hir të sigurisë së personave refuzon të pranojë kërkesën edhe pse kjo do të vështirësojë dukshëm punën e palës mbrojtëse.

“Në bazë të Nenit 39, pika 11 me kërkesën e prokurorit special, kërkohet sërish që të mos ketë zbardhje të identitetit të viktimave dhe dëshmitarëve për hir të sigurisë së tyre fizike. Të paktën ato do të jenë të fshehta në fazën fillestare të hetimit,” thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë theksohet se krimet e kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë të shumta, sipas tyre të paktën 246 pjesëtarë të UÇK-së janë të përshirë në krime.

“Gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se materiali mbështetës tregon se, ndërmjet të paktën marsit 1998 dhe shtatorit 1999, anëtarët e UÇK-së kryen akte të shumta dhune dhe keqtrajtimi ndaj qindra civilëve në të gjithë Kosovën dhe në veri Shqipëria. Në bazë të aktakuzës së zbuluar në të gjithë Kosovën dhe Shqipërinë Veriore janë kryer krime ndaj 392 individëve nga Prill 1998 deri afërsisht në Gusht 1999.”

Sipas tyre civilët u kapën në pikat e kontrollit, në rrugë, në shtëpitë e tyre ose vendet e punës, shumë prej të cilëve u keqtrajtuan në kohën e arrestimi i tyre. Në aktakuzë theksohet se krimet kanë ndodhur në 16 lokacione në Kosovë dhe në 2 qytete të Shqipërisë veriore.