Vlorë -Ministri i Brenshëm, Sander Lleshaj, ka qenë në Vlorë, ku ka marrë pjesë në analizën e zhvilluar me strukturat drejtuese të DVP Vlorë dhe komisariatet e kësaj Drejtorie.
Pas këtij takimi Lleshaj ka folur për mediat. Ai u shpreh se nga drejtoria vendore e ka plotësuar misionin, pra ka arritur të godasë fort fenomenin e kultivimit të kanabisit në gjithë qarkun e Vlorës duke shënuar rezultate të rëndësishme.
"Lufta kundër kanabisit këtë vit ka shënuar rezultate shumë inkurajuese. Kjo vërehet në sasinë e kanabisit të kapur, të sekuestruar, nga autoritetet e vendeve fqinje, vende të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten destinacion i kësaj veprimtarie të paligjshme.
Duhet thënë se angazhimi ynë për luftën kundër kanabisit do të vijojë të thellohet, megjithëse thashë që rezultatet janë shumë të mëdha deri tani. Bashkë me përfundimin e operacionit për vitin 2020, fillon tani operacioni i Policisë në gjithë vendin për të goditur tentativat për vitin 2021.
Ne jemi të bindur se lufta kundër kanabisit është në thelb një luftë kundër krimit në tërësi në vend. Për arsye se kanabisi dhe veprimtari të tjera të bashkëlidhura me të, janë gjeneratori kryesor i të gjithë veprimtarisë, ose një pjese të madhe të veprimtarisë kriminale në vend.
Goditja e fortë e kohëve të fundit, qoftë kundër kanabisit, qoftë kundër pasurive të gjeneruara nga veprimtaritë kriminale ka sjellë si rezultat që e gjithë tabloja e kriminalitetit në vend të pësojë një tkurrje të ndjeshme. Të gjitha figurat e krimit, pra të gjitha veprat kriminale të regjistruara për vitin 2020, shënojnë një reduktim të ndjeshëm edhe krahasuar me vitin 2019. Sigurisht krahasuar me vitet e mëparshme janë akoma më ulët.
Ndaj ne do ta vazhdojmë këtë betejë, në dy fronte të rëndësishme: luftën kundër kanabisit dhe goditjen e pasurive kriminale të gjeneruara prej tij dhe prej veprimtarive të tjera. Të dy këto, besoj të dy këto fronte, do të na garantojnë që ne t’i mbajmë parametrat e sigurisë në vend në nivel optimal dhe t’i përmirësojmë përherë në të ardhmen", tha Lleshaj.
