Akuzat për shitblerje të votave, po zhvillohet sot në Dibër seanca e parë për Dosjen 184

15 Janar 2021, 09:40 | Përditesimi i fundit: 2021-01-15 10:12:39

Ditën e sotme në Dibër zhvillohet seanca e parë gjyqësore e një dosjeje që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë opinionit publik dhe ka përplasur palët politike prej 3 vitesh tashmë.  Dosja e famshme 184 pasi prokuroria e Dibrës përfundoi hetimet para 1 muaji tashmë do të jetë para togave të zeza për gjykim. Sot vendoset nëse rikthehet për hetim apo vijon procesi gjyqësor. I pranishëm në seancë edhe përfaqësuesi i PD, në rolin e kallëzuesit. 

Kujtojmë dosja 184 vjen para gjykatës së Dibrës pas një ping-pongu të gjatë mes institucioneve të drejtësisë. Nga krimet e renda kjo dosje bëri rrugën Tiranë-Dibër për 4 herë vajtje-ardhje deri sa prokurorët aty u bindën që ishte kompetencë e tyre dhe pranuan ta hetojnë. Sipas akuzës së Dibrës në zgjedhjet lokale të 2016 ku do të zëvendësohej Shukri Xhelili me Agim Ramën, ka pasur shit-blerje votash por personat përgjegjës s'mund të hetoheshin pasi vepra penale ishte parashkruar.

Robert Aga ish shefi policisë në vitin 2016, Drini Gjeci ish kreu arsimit, Nuri Meda zyrtar në Njësinë administrative Tomin, Hasan Hoti Njësia Administrative Lurë dalin sot para gjykatës pasi janë marrë të pandehur për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve dhe rrezikojnë të dënohen nga 1 deri në 7 vite burg. Shpërdorimi detyrës sipas nenit 248 ka një marzh dënimi deri në 7 vite ndërsa kanosja e zgjedhësve nga një vit deri në katër sipas nenit 329 të kodit penal.

Për të tjerët të akuzuar, mes tyre kryebashkiakun aktual të Dibrës Dionis Imeraj, dhe shtetasit Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, afrim Mikli, Prokuroria e Dibrës kërkoi më 18 dhjetor pushimin e çështjes dhe tani i  takon gjykatës të japë vendimin e saj nëse do pranojë këtë hetim apo do e rikthejë sërish në Prokurori.

Kujtojmë se PD, si kallëzues palë e interesuar e ka ankimuar vendimin dhe kërkon të vihen përballë ligjit të gjithë persona e përgjuar në këtë dosje.